QKUK e mbuluar nga mbeturinat

E publikuar: 20/09/2017 10:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në kontejnerët brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës shihet se janë hedhur edhe mbeturina medicinale, gjë që sipas infektologëve, janë shumë të rrezikshme.

Kompania “Pastrimi” thotë se me QKUK-në kanë kontratë vetëm për pastrimin e mbetjeve të Klinikës së Gjinekologjisë dhe Institutit Patologjik.

Infektologu, Sali Ahmeti thotë se mbeturinat që hedhen, përfshi edhe ato në hapësirën e Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, përbëjnë rrezik të lartë nëse preken në mënyrë të pambrojtur.

“Mbeturinat të cilat hedhen nëpër kontejnerë paraqesin problem potencial për të gjithë qytetarët që i ekspozohen për arsye të ndryshme këtyre kontejnerëve, dhe në mënyrë të veçantë mendoj që mbeturinat që hedhen në QKUK paraqesin rrezik potencial për infeksione të ndryshme, të cilat mund t’i atakojnë personat pa mbrojtje adekuate”, ka thënë Ahmeti.

Drejtori i Sektorit të Shërbimeve Teknike në QKUK, Mehdi Krasniqi i ka thënë Radio Kosovës se kjo njësi është përgjegjëse vetëm pjesërisht për pastrimin e mbeturinave. Ndërsa pjesa tjetër, sipas tij, është në përgjegjësinë e kompanisë publike “Pastrimi”.

“Mbetjet medicinale të shërbimi teknik ka kompetencë që t’i marrë mbetjet të cilat vijnë në qese të paketuara nga klinikat dhe deponohen në deponitë doracake që janë të vendosura pranë klinikave e që janë të mbyllura. Pastaj përmes kompanisë “Pastrimi”,me të cilën kemi kontratë, vijnë i marrin dhe i largojnë”, ka thënë Krasniqi,

Por, zëdhënësja nga kompanisë “ Pastrimi”, Arbnora Ademi i ka thënë Radio Kosovës se me QKUK-në kanë kontratë vetëm për mbetjet e Institutit Patologjik dhe Klinikës së Gjinekologjisë. Ajo ka thënë se këto të dy qendrat janë të përcaktuara edhe me udhëzimin e Ministrisë së Planifikimit Hapësinor.

“Kompania “Pastrimi” është e kontraktuar nga QKUK për mbetjet spitalore, konkretisht për mbetjet nga Instituti Patologjik dhe Klinika e Gjinekologjisë. Kryesisht këto mbetje janë nga lindjet apo placenta, mbetjet nga Instituti Patologjik- amputimet. Mirëpo të gjitha këto përcaktohen në udhëzimin mjedisor të hartuar nga Ministria e Planifikimit Mjedisor”, ka thënë Ademi.

Sidoqoftë, hapësira e qendrës kryesore spitalore e vendit jo çdo herë është e pastruar tërësisht.