Qeveria zotohet se nuk do ta revokojë vendimin për taksë ndaj prodhimeve të Serbisë

E publikuar: 08/11/2018 08:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria ka dhënë zotimin, të mërkurën, se nuk do t’i bindet kurrfarë presioni ndërkombëtar për t’i revokuar sanksionet ekonomike të vëna një ditë më parë kundër Serbisë, si kundërpërgjigje ndaj fushatës së Beogradit për ta dëmtuar sovranitetin e jashtëm të Kosovës.

Njohës të konflikteve kanë thënë se këto sanksione janë plotësisht në frymën evropiane, shkruan Koha Ditore.

Nëpërmjet një vendimi, ekzekutivi ka vënë një taksë prej 10 për qind për të gjitha produktet me origjinë nga Serbia, por edhe nga Bosnjë-Hercegovina, me përjashtim të brendeve ndërkombëtare që qarkullojnë mallrat e prodhuara në degët që i kanë në këto shtete.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Bashkimit Evropian. Brukseli zyrtar ka kërkuar nga autoritetet e Kosovës që urgjentisht të shpjegojnë vendimin. Kjo, pasi ka gjykuar se me të minohet bashkëpunimi rajonal dhe se vendimi nuk është në përputhje me parimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ndërmjet BE-së dhe Kosovës./Besnik Krasniqi.