Qeveria thotë se nuk i ka 4 milionë euro për pagat e veteranëve

E publikuar: 30/08/2017 11:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri në detyrë Isa Mustafa në mbledhjen e Qeverisë ka shprehur keqardhje për atë që po ndodh me mos pagesën e veteranëve për muajin gusht.

Ai tha se veteranët me të cilët do të takohet sot, nuk janë fajtor për gjendjen në të cilën gjendet vendi. Sipas tij ata do t’i marrin pensionet, por se kjo çështje mund të zvarritet, si pasojë e mos konstituimit të institucioneve të vendit.

“Në fakt ata s’janë fajtor për situatën në të cilën kemi ardhur. Është problemi i rishikimit të buxhetit. Të shohim se a ka ndonjë mundësi ligjore. Të gjitha mundësitë ligjore do ti trajtojmë. Mirëpo Por ajo që është e sigurt është se veteranëve nuk do tu humbin pensionet . Pensionet do t’i marrin, por veç mund te prolongohet, të shtyhet pagesa e këtyre pensioneve. Edhe ne në emër të Qeverisë duhet të shprehim keqardhje për këtë që po ndodh. Sepse nuk është ne rregull që individ dhe familje që iu takon kjo të paguajnë koston e ngecjeve të konstituimit të institucioneve të republikës së Kosovës”, tha ai.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Safet Kamberi tha se buxheti i ndarë për këtë kategori ka qenë rreth 28 milionë euro dhe se nga kjo shumë në periudhën janar-korrik janë bërë pagesat e pensionistëve për këtë kategori në shumë prej 36.3 milionë euro. Ndërsa thotë se për pagesën e muajit gusht për veteranët, ka mungesë të mjeteve në shumë prej mbi 4 milionë euro.

“ Duke pasur parasysh se kosto e pagesës së pensioneve të veteranëve për muajin gusht, arrin shumën prej 5 milionë e 784 mijë euro, atëherë del se kemi mungesë të mjeteve në shumë prej mbi 4 milionë euro për pagesën e muajit gusht. Rrjedhimisht deri më tani nuk kemi mundur të bëjmë pagesën e pensionistëve për 33 mijë e 141 përfitues të këtij pensioni. Bazuar në numrin aktual të përfituesve të këtij pensioni që është rreth 33 mijë e 141, minusi në këtë kategori del deri në fund të vitit që është 27.2 milionë euro. Ne si ministri me kohë kemi paraqitur këtë mungesë të mjeteve në dokumentet e rishikimit të buxhetit. Mirëpo për shkak se Kuvendi i Kosovës s’ka qenë në gjendje të shqyrtoj rishikimin e buxhetit, kjo çështje s’ka mund të gjeje zgjidhje. Me këtë rast kërkojë ndihmën tuaj që bashkërisht të gjejmë një zgjidhje për këtë problem”, tha Kamberi.