Qeveria të krijojë Ministri të veçantë për UÇK-në, sikurse Kroacia!

E publikuar: 03/09/2015 14:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-kryeministri i Republikës së Kosovës, njëherësh kryetari i Komisionit qeveritar për verifikimin e veteranëve të UÇK-së, Agim Çeku nuk ka marrë ndonjë përgjigje të saktë nga kryeministri Isa Mustafa lidhur me propozimin e tij që të krijohet një ministri e veçantë, Ministrinë e Veteranëve apo për Ruajtjen e Vlerave të Luftës, e cila do të merrej me kategoritë e dala nga lufta

Çeku në një prononcim për “Zeri.info” ka theksuar se, para disa ditëve është takuar me Mustafën dhe zv.kryeministrin, Hashim Thaçi, prej të cilëve pret që ta marrin seriozisht këtë nismë.

“Unë kam biseduar me kryeministrin e Republikës dhe ia kam argumentuar nevojën për këtë ministri. Kryeministri më ka thënë që do të mendohet. Jam takuar edhe me Thaçin, i cili poashtu nuk më ka dhënë ndonjë përgjigje, megjithatë shpresoj se do ta marrin seriozisht këtë punë”, është shprehur ai.

Sipas Çekut, koha tashmë ka ardhur që kategoritë e dala nga Lufta e UÇK-së të trajtohet më seriozisht, duke u nisur edhe nga praktikat e vendeve të tjera. Pra, të formohet një Ministri e veçantë e cilat do të ketë një adresë, një buxhet, përgjegjësi…”.

Ideja për këtë propozim, sipas deputetit të PDK-së, ka hasur në mirëkuptim edhe nga Shoqatat e Dala nga Lufta. Ai, tregoi se, ka zhvilluar një takim edhe me anëtarët e tjerë të Komisionit qeveritar për verifikimin e veteranëve të UÇK-së të cilët janë shprehur pro.

“Çdo vit kemi kërkesa nga invalidët për mjetet financiare, për pushime, për familjet e dëshmorëve. Sot askush nuk përkujdeset për lapidar, varrezat e dëshmorëve, sot për manifestimet organizohen nga këshilla apo patronatet të këtij apo atij. Të gjitha këto çështje do ti bënte kjo ministri”, ka thënë ai.

Ndërsa lidhur me udhëheqjen eventuale të Ministrisë e cila do të merrej me kategoritë e dala nga lufta , Çeku thotë se nuk do të pranonte të jetë në krye të saj.

“Assesi nuk ka forcë që do më ketë detyruar, nuk do të kisha lejuar që unë të pranoj këtë detyrë. Do të ishte nder, por pasi që është propozimi im unë nuk do të kisha pranuar.

Shoqatat e Dala nga Lufta: Duhet të bëhet sa më shpejt ministria!

Nga ana tjetër, kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari ka thënë për “zeri.info” se një ministri e tillë është e nevojshme dhe në interes për shtetin e Kosovës.

“Mendoj se kjo është dashur të krijohet me kohë. Gjithashtu ne e kemi marrë si model Kroacinë që ka një ministri të tillë. Kjo mendoj së do të ishte zgjidhja më e mirë për problemet e kategorive të luftës”, ka thënë ai.

Jashari, ndër të tjera, tha se ka disa ministri në Qeverinë e Kosovës që vetëm marrin para dhe nuk bëjnë ndonjë punë të madhe në dobi të Republikës.

“Është e domosdoshme krijimi i kësaj ministrie, kur e dimë se në Kosovë kemi ministri pa portofol të cilat janë të krijuar si ministri që thithin buxhet dhe s’kanë ndonjë punë të madhe”, ka thënë ai. /Zëri/