Qeveria synon ta tejkalojë krizën ekonomike përmes kredive me norma të ulëta të interesit

E publikuar: 12/07/2020 09:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së enjtes ka miratuar nismat për marrëveshjet e kredive në vlerë prej 130 milionë euro për pandeminë.

Sipas Ministrisë së Financave, këto mjete parashihen të kthehen në afat prej tri vjetësh me normë të interesit prej 1%.

Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi thotë se mjetet do të kthehen në afatin e paraparë në kontratën e marrëveshjes. Këto kredi, Krasniqi i sheh si problem të vogël, pasi thotë ai se janë të nevojshme për qytetarët dhe bizneset.

“Mjetet dhe kreditë janë të buta me një afat të kthimit të gjatë këto do të planifikohen në proceset e ardhshme buxhetore. Varësisht kontratave dhe marrëveshjeve, koha e kthimit është e përcaktuar në marrëveshje. Por kjo nuk është problem i madh”, u shpreh ai për EO.

Sipas Krasniqit, pas rishikimit të buxhetit, normat e interesit të kredive nga sektori privat bien mbi barrën e Qeverisë.

“Përmes fondit të garantimit të kredive, e cila nuk do të menaxhohet direkt prej qeverisë por vetëm mjetet do të ndahen nga Qeveria në fond duke përfshirë edhe marrëveshjet ndërkombëtare janë pjesë për të mbushur fondin për garantim të kredive për të plotësuar kërkesën e sektorit privat në mënyrë që të garantojmë kredimarrjen prej 80 për qind dhe t’i mbulojmë normat e interesit”, ka thënë Krasniqi./gs/