Qeveria në defensivë ndaj Serbisë

E publikuar: 30/06/2016 10:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Autoritetet e Serbisë po qeverisin brenda territorit të Kosovës si në shtetin e tyre, ndërsa Qeveria e Kosovës po tregohet shumë e pafuqishme për t’i parandaluar këto veprime të cilat, për opozitën, janë fyese dhe nënçmuese.

Ndërtimi i lagjes “Lugina e Diellit”, ngritja e përmendores së Car Llazarit, vënia e kurorave në Koshare për ushtarët e paramilitarët serbë, ngitja e fotografive të Sllobodan Millosheviqit dhe e simboleve shoviniste në Gazimestan, janë disa nga këto veprime ndaj të cilave nuk vepruar Qeveria e Kosovës me mekanizmat e saj.

I kontaktuar nga “Zëri”, Faton Abdullahu, këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa, ka thënë se ekzekutivi i vendit është i përkushtuar për të respektuar kulturën dhe trashëgiminë e të gjitha komuniteteve dhe se nuk lejojnë që mendësia e dëmshme të ndikojë në të ardhmen e vendit.

“Qeveria e Kosovës është e përkushtuar në respektimin e kulturës dhe trashëgimisë së të gjitha komuniteteve të Kosovës, por gjithmonë duke u bazuar në ligjet tona, Kushtetutën dhe parimet mbi të cilat është ndërtuar Kosova. Ne si Qeveri nuk jemi që mendësia e dëshmuar si e dëmshme të ndikojë, aq më pak të dirigjojë të tashmen dhe të ardhmen e qytetarëve të Kosovës dhe në përgjithësi në vlerat demokratike dhe multietnike të cilat po ua ndërtojmë”, ka deklaruar Abdullahu. /Zëri/