Qeveria ndalon lojërat e fatit

E publikuar: 26/03/2019 14:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria në mbledhjen e sotme ka marrë vendim që të nisë procedurat për shfuqizimin e Ligjit për Lojërat e Fatit.

Nga ky vendim i Qeverisë përjashtim bën vetëm Lotaria e Kosovës që mbikëqyret nga shteti, njofton Klan Kosova.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se ky veprim vjen pas rezolutës së miratuar nga Kuvendi.

“Qëllimi i hartimit është zbatimi i rezolutës së Kuvendit të Kosovës me të cilën kërkohet nga Qeveria që t’i nisë procedurat ligjore për ndalimin deri në miratimin e Ligjit për Lojërat e Fatit”.

“Me këtë projektligj ndalohen të gjitha lojërat e fatit përveç Lotarisë së Kosovës”.

Ditë më parë, Kuvendi i Kosovës në një seancë të jashtëzakonshme kishte nxjerrë një rezolutë e cila i kërkonte Qeverisë t’i pezullojë aktivitetet e të gjitha lojërave të fatit.

Sipas kësaj rezolute, Qeveria duhej që brenda 30 ditësh ta procedonte në Kuvend Projektligjin e ri që i ndalon të gjitha llojet e lojërave të fatit për një periudhë 10 vjeçare.

Ky vendim vjen pas rasteve të fundit të vrasjeve që kanë ndodhur ditëve të fundit në kazino, fillimisht në Suharekë dhe më pas në Lipjan.