Qeveria mund të përgjysmohet me Ligjin e ri, mund të mbesin vetëm 11 ministri

E publikuar: 10/03/2019 13:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Projektligji për Qeverinë është në fazën e fundit të procesit të draftimit para se të kaloj për miratim në kabinetin qeveritar. Ligji i cili në të ardhmen do të rregullojë punën e ekzekutivit, po kalohet me konsultime të brendshme të grupit punues.

Koordinatori Nacional për Qeverisje Lokale, Besnik Tahiri, ka thënë se ky projektligj nuk prek vetëm numrin e ministrive, zëvendësministrave dhe zëvendëskryeministrave, por e rregullon ekzekutivin e shtetit, raportet ndërmjet ministrive, nismat sociale dhe saktëson përgjegjësitë dhe detyrat e secilës ministri dhe Kryeministrisë.

Tahiri i cili është edhe kryesues i Komisionit për Hartimin e Projektligjit për Qeverinë, në një intervistë për Ekonomia Online, për herë të parë ka bërë publike draftin e këtij projektligji. Tri opsione janë për numrin e ministrive. Qeveri me 11, 15 dhe 17 ministri, por sipas Tahirit. Ai thotë se nëse nuk vendoset kufizimi i numrit të ministrive, projektligjin nuk e dërgon në Qeveri.

“Për herë të parë po e bëj publike, unë i kam tri opsione, opsioni me 11 ministri, opsioni që është me 15 ministri dhe opsioni me 17 ministri. Do të jetë vendim i Qeverisë cilin opsion e merr. Ka liderë serioz të partive opozitare që mendojnë numri nuk duhet të jetë i përfshirë në këtë ligj dhe unë nëse nuk e vendosi numrin, si kryetar i këtij komisioni nuk do ta qoj në Qeveri. Kur kemi hyrë në analizë të evidencës kemi parë që numri i ministrive ka degraduar, koalicion mas koalicioni, qeveri mas qeverie”, ka thënë kryesuesi i Komisionit për Hartimin e projektligjit për Qeverinë, Besnik Tahiri.

Sipas Tahirit, Ligji për Qeverinë do të prekë ministritë, departamentet dhe organogramin, ku do të ketë bashkim të tyre. Ndonëse nuk dihet se kur mund të hyjë në fuqi, koordinatori Tahiri thotë se procesi si i tillë do të kalojë në një organizim të plotë.

“Çështja e zbatimit të ligjit, duhet të rregullohet në këtë Ligj, është vendosur që nëntë muaj para se të hyjë në fuqi të zbatohet. ligji për Qeverinë e them me përgjegjësi të plotë do të prek ministritë të mëdha, do të prek departamente, do të prek organonagrame që nënkupton bashkim të ministrive, bashkim të departamenteve që janë në një ministri në ministri tjetër. Kjo nënkupton që i gjithë ky proces kërkon një organizim të plotë dhe si i tillë, tani nuk mund të them saktë se kur do të hyjë në fuqi por intenca është do të thotë me hy mundësisht në vitin e ardhshëm edhe pse koha po kalon”, ka bërë të ditur Tahiri.

Ndryshime do të pësojë edhe Zyra e Kryeministrit, kjo pasi sipas Tahirit, sepse ka një numër të madh të të punësuarve në Kryeministri.

“Kryeministria do të pësojë poashtu ndryshime, kryeministria do të kalojë nga Zyra e kryeministrit në kryeministri, pra do të jetë institucioni që merret kryesisht me politika zhvillimore, respektivisht në procesin e politik bërjes dhe vendimeve që janë në Qeveri. Në mënyrë që edhe këtu të zvogëlohet numri sepse kemi një numër të madh të të punësuarve në Zyrën e Kryeministrit, por që në fakt nuk përkojnë asgjë me çka bëjnë kryeministritë në vendet evropiane dhe perëndimore”, shtoi Tahiri.

Të gjitha këto ndryshime të ekzekutivit që përfshijë reformën shtetërore, sipas Tahirit, nuk do të kalojnë pa dhimbje. Por i rëndësishëm është fakti që ato kanë marrë bekimin e krerëve të koalicionit qeverisës.

“Dy çështje qe dua t’i them, e para nuk ka reformë shtetërore pa dhimbje. Në çoftëse reforma nuk dhemb atëherë nuk ka reformë, është veç me i bo qefin me i rahatu njerëzit. Në këtë proces kam hyrë në vetëdije të plotë që është proces i vështirë, që nuk është vullnet i imi, është vullnet i bartësve të koalicionit, kryeministrit Haradinaj, kryeparlamentarit Veseli, kryetarit Limaj. Nuk është që i kam nxënë ata në zgabim, në fakt ata e dinë që një ditë do të riorganizohet. Në këtë kuptim unë e kam mbështetjen e plotë të liderëve”, pohoi Tahiri.

Ndonëse ishte paralajmëruar që Projektligji për Qeverinë do të kalojë pranë kabinetit qeveritar në mars, Tahiri bën të ditur se ky projektligj do të kalojë në fund të majit. “Unë mendoj që deri në fund të majit do të thotë do të kalon në Qeveri, më nevojiten edhe pesë jave ditë konsultime. Kjo kohë është shumë e nevojshme për procesin e konsultimeve në mënyrë që kur të hyjmë, kur të kalon në Qeveri mos të sfidohet në Parlament por të kalon shpejtë”, tha Tahiri.

Koordinatori Nacional për Qeverisje Lokale, ka folur edhe për Ligjin për Paga, tashmë i miratuar në Kuvendin e Kosovës. Për hyrjen në fuqi të këtij ligji, Tahiri thotë se pritet krijimi i një grupi që do të udhëheqë përpilimin e akteve rregullative.

“Jam munduar që të ballafaqohem më të gjitha sindikatat dhe të trajtoj këtë temë dhe arsyeja që unë e kam bërë është që unë i di detajet. Ka disa çështje që duhet të rregullohen që duhet të rregullohen tash në këta tetë muaj. Javën në ardhshme në Qeveri do të merret një vendim për krijimin e një grupi që do të udhëheqë përpiliimin e akteve rregullative për më hy në fuqi ky ligj”

Tahiri i ka reagua komenteve se rritja e pagave në sektorin publik e dobëson ekonomikë dhe sektorin privat. Sipas tij, rritja e pagës ndikon në rritjen e konsumit.

“Nuk është e vërtetë që e dobëson ekonominë dhe sektorin privat rritja e pagave, është gabim total, kjo e rrit konsumin, nëse i merr 100 euro më shumë ki me i pas 100 euro më shumë buxhet me ble konsum me rrit konsumin. Po ashtu sektori privat duhet të mendoj se si po i trajton punëtorët e vet. Sepse edhe rrogat në sektorin privat munden me lëvizë”, tha Tahiri.

Aktualisht Qeveria e Kosovës, ka gjithsejtë 22 ministri, numër i cili është kundërshtuar nga opozita dhe shoqëria civile. Kritika për numër të madh ka pasur edhe për zëvendësministrat dhe këshilltarët politik në ministri.