Qeveria miraton nismën për fillimin e negociatave për masat në efiçiencën në energji për nivelin Komunal

E publikuar: 03/06/2015 14:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria e Republikës së Kosovës sot ka miratuar nismën për fillim e negociatave për arritjen e marrëveshjes për masat në efiçiencën në energji për nivelin Komunal, të cilën nismë e prezantoi sot në mbledhjen e Qeverisë ministri i Financave Avdullah Hoti.

Ministri Avdullah Hoti bëri të ditur se në vitin 2012 Ministria e Financave së bashku me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik përmes një Memorandumi të Mirëkuptimit janë pajtuar me KfW-në për projektin për masat e efiçiencës në energji në ndërtesat publike për nivelin komunal.

“Projekti tashmë është përgatitur me financim të Bashkimit Evropian dhe marrëveshja për financimin e këtij projekti është dorëzuar nga KfW-ja në Ministrinë e Financave për nënshkrim. Kjo marrëveshje vjen si pako në vlerë prej 7.5 milionë euro. Nё kuadёr tё kësaj marrëveshjeje financiare janё grantet në vlerë prej 5 milionë euro të përbëra nga 2.5 milionë euro grant nga WBIF dhe 2.5 milionë euro grant nga Qeveria Gjermane dhe kredia prej 2.5 milionë euro nga KfW-ja me një normë fikse të interesit e cila përcaktohet në momentin që ratifikohet marrëveshja. Këto mjete do të buxhetohen në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik meqë është ministri e linjës dhe për arsye të mbikëqyrjes më efektive nga Agjencia për Efiçencën e Energjisë”, tha Ministri Hoti.

Ai theksoi se katër nga tetё komunat nё tё cilat janë identifikuar mbi 30 objekte shkollore e shëndetësore nё nevojë për intervenim me masat pёr eficiencё tё energjisё, kanё shprehur interesimin e tyre për pjesëmarrje nё kёtё projekt. Këto komuna janë Prishtina, Gjakova, Gjilani dhe Ferizaji.

Sipas Ministrit Hoti pjesa e kredisë prej 2,5 milionë euro nga KfW-ja dhe pjesa e grantit prej 2.5 milionë euro nga Qeveria Gjermane do të përdoren direkt për implementimin e projektit, përderisa pjesa e grantit të WBIF do të përdoret për pagimin e interesit për pjesën e kredisë së KfW-së, për shërbime të konsulencës dhe një pjesë tjetër prej shpenzimeve të auditimit dhe menaxhimit.

“Për pjesën e kredisë, kësti do të paguhet dy herë në vit, respektivisht me 30 qershor dhe 30 dhjetor të vitit respektiv. Sa i përket këstit të fundit do të paguhet me 30 qershor të vitit 2027. Vlen të theksohet se nënshkrimi i kësaj marrëveshje vije pas nënshkrimit të marrëveshjes me Bankën Botërore për masat e efiçiencës në energji për nivelin qendror dhe së bashku këto masa përmbushin Strategjinë e Efiçencës së Energjisë” ka shtuar Ministri Hoti.

Ai gjithashtu bëri të ditur se nevojitet themelimi i ekipit për negocimin e kësaj marrëveshjeje ndërkombëtare, ekip ky i cili themelohet nga Ministri i Financave pas aprovimit nga Qeveria e kësaj nisme.

“Prandaj, duke e konsideruar arritjen e kësaj marrëveshjeje tejet me rëndësi, në përputhje me dispozitat e ligjit për marrëveshjet ndërkombëtare, ju rekomandoj që të miratoni nismën për fillim e negociatave për arritjen e marrëveshjes për masat e efiçiencës në energji për nivelin Komunal.