Qeveria ia beson përfaqësimin ligjor kompanisë bullgare në kontestin PTK-Axos

E publikuar: 15/08/2017 14:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria e Kosovës, gjegjësisht Ministria e Zhvillimit Ekonomik, ka përzgjedhur kompaninë e cila do të përballet në kontestin PTK-Axos GMBH.

MZHE, sipas dokumentit të publikuar në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), ia ka besuar një kompanie bullgare me emrin “KPMG Bulgaria” përfaqësimin ligjor në kontestin e privatizimit të PTK-së nga kompania Axos GMBH.

Titulli i kontratës i dhënë nga autoriteti kontraktues, në këtë rast Qeveria e Kosovës, është “Përzgjedhja për ekspertiza profesionale në çështjen Axos GMBH për kontestin ‘Privatizimi i PTK-së’ LOT-1”, raporton Koha.net.

Sipas kësaj kontrate, del se MZHE kishte planifikuar 150 mijë euro për shërbimet e kompanisë së përzgjedhur, mirëpo, pas negociatave me kompaninë në fjalë, vlera është ulur në 100 mijë euro, mjete këto që do të paguhen nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës.

Në kontratë bëhet e ditur se nënshkrimi mes Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë “KPMG Bulgaria” është bërë më 11 gusht, 2017 ndërsa theksohet se kohëzgjatja e kësaj kontrate do të jetë valide deri në përfundim të rastit.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës dhe konsorciumi “AXOS”, do të përballen në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit në muajin e parafundit të këtij viti.

Lajmin e kishte konfirmuar, ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, rreth një muaj më parë për KTV-në.

Ai pati thënë se të dyja palët kundërshtare do t’i dorëzojnë faktet e tyre dhe listën e dëshmitarëve gjatë shtatorit të këtij viti.

Kompania gjermane “AXOS Capital” në konsorcium me “Najafi Companies”, kishte ofruar në vitin 2013, 277 milionë euro për të privatizuar 75% të aksioneve të Telekomit të Kosovës.

Mirëpo, konsorciumi në fjalë nisi të shfaqë probleme gjatë sigurimit të mjeteve të ofruara duke kërkuar nga Qeveria që të ofrojë një mënyrë më të lehtë të pagesës.

Këto probleme çuan në vendimin e Qeverisë të marrë në dhjetorin e 2013-ës duke e anuluar tërë procesin e privatizimit nga e cila më së shumti u dëmtua vetë Telekomi, të cilit iu ndaluan të gjitha investimet e nevojshme për t’i bërë ballë konkurrencës.

Pas këtij vendimi, konsorciumi vendosi ta padisë qeverinë në Arbitrazh, duke kërkuar fillimisht dyfishin e çmimit të ofruar në privatizim, porse gjasat më të mëdha janë që shuma e përfitimit mund të sillet mes 22 e 40 milionë eurove, pasi konsorciumi kishte pranuar klauzolën që i jepte të drejtën Qeverisë të anulonte procesin e privatizimit.