Qeveria i reagon Bankës Botërore për raportin që thotë se janë zvogëluar vendet e punës

E publikuar: 03/04/2019 15:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria e Kosova ka reaguar sot pas publikimit të djeshëm të Raportit të Bankës Botërore ku theksohet rënia e vendeve të punës në vitin e kaluar.

“Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se raporti i publikuar dje nga përfaqësuesi i Bankës Botërore në Kosovë, për sa i përket zvogëlimit të vendeve të punës në Kosovë në vitin 2018, për 17 mijë vende pune, është plotësisht i pa vërtetë dhe i pa bazuar”, thuhet në kumtesën e Qeverisë, transmeton Klan Kosova.

Në komunikatë thuhet se të dhënat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, Banka Qendror e Kosovës, por edhe Raporti Financiar për Shpenzimet e Buxhetit për vitin 2018, për zhvillimet makroekonomike në Kosovë flasin krejt ndryshe.

“Nuk na befason paraqitja e përfaqësuesit të BB me këto shifra, por jemi befasuar me gatishmërinë e kryetarit të LDK, z. Isa Mustafa, me profesion ekonomist, Profesor Universitar dhe akademik, për shfrytëzimin e këtij informacioni, pa një analizë profesionale e kritike ashtu siç mendojmë se i takon”.

“E kuptojmë nevojën e kritikës së opozitës për Qeverinë, por jo me çfarëdo mjeti dhe nga çfarëdo niveli. Sipas të dhënave të publikuara së fundmi nga ASK lidhur me punësimin dhe strukturën e aktivitetit ekonomik të popullsisë, numri i të papunëve në vitin 2018 është zvogëluar për 11.611 persona, që do të thotë, shkalla e papunësisë është zvogëluar për 1% në krahasim me vitin 2017”.

Ecuritë makroekonomike në Kosovë në vitin 2018 sipas ekzekutivit kanë qenë: norma e rritjes/shtimit/ekonomik 4.2%, investimet publike, rritje 13,1%, remitencat 6,0%, punësimi në sektorin publik 5,2%, investimet në sektorin privat 6,4%.

“Raporti në fjalë nuk e qartëson se cilat janë kriteret dhe metodologjia e përdorur për hartimin e një raporti me konstatimin përfundimtar se janë humbur 17 mijë vende të punës dhe ne si Qeveri, menjëherë kemi kërkuar informacione të sakta se cili është burimi dhe cilat janë metodat e punës në mbledhjen dhe paraqitjen e këtyre shifrave”.