Qeveria Hoti ka planifikuar 400 milionë euro për rimëkëmbjen ekonomike

E publikuar: 18/06/2020 15:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Afër 400 milionë euro ka planifikuar Qeveria Hoti për të rimëkëmbur ekonominë e Kosovës.

Nga dokumentet që gazeta Infokus i ka parë, pas rishikimit të buxhetit që u bë në mbledhjen e fundit të Qeverisë këtë të mërkurë, thuhet që për Pakon Rimëkëmbëse janë planifikuar plot 385 milionë euro.

Nga këto para, 158 milionë euro tashmë janë të destinuara se për çka do të shpenzohen, si vazhdim i zbatimit të pakos emergjente të qeverisë së kaluar, të udhëhequr nga Albin Kurti.

14 milionë euro janë paraparë për paga dhe shtesa, ndërsa 13 milionë euro janë për mallra dhe shërbime, shkruan gazeta Infokus.

Ndërsa 131 milionë euro janë planifikuar për subvencione dhe transfere.

Prej këtyre parave që tashmë janë të caktuara se si do të shpenzohen, 27 milionë euro janë marrë përmes huamarrjes Instrumenti për Financim të Sektorit Publik për Reagim Emergjent ndaj COVID-19, nga CEB, ndërsa 36.8 milionë euro janë marrë nga Projekti Emergjent për Kosovën nga Banka Botërore.

E pjesa tjetër janë nga granti qeveritar, shkruan gazeta Infokus.

Por, nga fondi prej 385 milionë eurosh 227 milionë euro pritet që të merren nga burime të ndryshme, shkruan gazeta Infokus.

Prej tyre, 74 milionë euro do të mirren nga burime të rregullta buxhetore e të cilat janë buxhetuar në kategorinë “Subvencione dhe Transfere”.

100 milionë euro do të merren nga kontigjenca kapitale për Fondet e likuidimit (AKP).

Ndërsa 53 milionë euro janë nga shpenzimet kapitale përmes Klauzolës së Investimeve dhe Nënhuazimeve./Gazeta Infokus/