Qeveria Haradinaj në kërkim të burimeve për kryerjen e obligimeve financiare

E publikuar: 19/09/2017 08:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Për shkak të vonesës në konstituimin e institucioneve pas zgjedhjeve të 11 qershorit, Qeveria e re e udhëhequr nga Ramush Haradinaj po përballet me vështirësi për t’i siguruar mjetet financiare për t’i përmbushur detyrimet, shkruan sot Koha Ditore.

Ndonëse buxheti për vitin 2017 është projektuar të ketë 2 miliardë euro, pra afro 300 milionë më shumë se një vit më parë, “minusi financiar” tash llogaritet të jetë 112 milionë euro.

Për ta përmbushur hendekun financiar, Qeveria e Haradinajt është në kërkim të gjetjes së modaliteteve për t’i tërhequr mjetet e parapara nga privatizimi në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, për të cilat ish-ministri i Financave, Avdullah Hoti, kishte thënë se duhet ndryshuar Ligji për AKP-në. Plotësim-ndryshimi i Ligjit për AKP-në dhe kategorizimi i pensioneve për veteranët, janë dy mundësitë e mbushjes së hendekut financiar sipas njohësve të çështjeve ekonomike.

Me mungesë të mjeteve financiare po përballet projekti i autostradës Prishtinë-Hani i Elezit, e njohur me emrin “Arbër Xhaferi”, pensionet e veteranëve, zgjedhjet lokale dhe ministritë e reja.