Qeveria e Serbisë i kërkon BE-së që Suhadolli të ndahet në jug dhe në veri

E publikuar: 18/12/2017 10:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vendimi i kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, që t’i ndërpresë njëanshëm punimet në revitalizimin e urës së Ibrit në pjesën veriore dhe punët në revitalizimin e rrugës “Mbreti Peter I” për ta shndërruar në zonë të këmbësorëve, dy projekte për të cilat BE-ja ka investuar 3.8 milionë euro, ka gjetur përkrahjen te qeveria e Serbisë.

Mbase edhe urdhri për ndërprerjen e punimeve, të cilin e ka zbatuar Rakiq, ka ardhur nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë dhe drejtori i saj, Marko Gjuriq, shkruan “Zëri”.

Edhe vendimi i Komisionit Komunal Zgjedhor që serbët e Suhadollit t’i vendosë në listat e votuesve në veri të Mitrovicës, ndërsa shqiptarët në listat e votuesve në jug, ka inkurajuar autoritet serbe që të kërkojnë që Suhadolli të ndahet sipas kësaj forme, në jug dhe në veri.

Kështu të paktën mund të kuptohet nga një raport për dinamikën e zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit, të cilin e ka hartuar Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe, pjesë të së cilës i përcjellin mediet lokale në veri të Mitrovicës (Kossev).

Në raport thuhet se nuk është shënuar asnjë lëvizje sa i përket çështjes së urës kryesore të Ibrit.

“Kryetari Rakiq ka qenë i detyruar t’i ndërpresë punimet. Prishtina faktikisht ka kryer kufizimin e Mitrovicës së Veriut dhe asaj të jugut në Suhadoll. E ka ndarë Suhadollin në dy pjesë. Nga BE-ja është kërkuar që përkufizimi formalisht të vërtetohet gjatë zbatimit të marrëveshjes për urën kryesore dhe për pjesën përreth. Por, punët janë ndërprerë krejtësisht. Kanë mbetur disa çështje kontestuese, pasi që paraprakisht duhet të sigurohet një ambient i sigurt dhe të arrihen disa marrëveshje teknike me kryerësit e punëve. Megjithatë, në ngecjet dhe në ndërprerjen e punëve më së shumti ka ndikuar ndryshimi i rrethanave politike, në të cilat kanë dominuar dy procese zgjedhore, zgjedhjet parlamentare dhe ato për pushtetin lokal”, thuhet në raport.