Qeveria e Mustafës e pafuqishme përball Listës së Jabllanoviqit

E publikuar: 20/03/2015 19:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria e Kosovës vazhdon të tregohet e pafuqishme ndaj ministrave serbë, që prej fillimit të shkurtit po i bojkotojnë institucionet e Kosovës, raporton KTV.

Në qeveri po e presin kthimin e shpejtë të Listës Serbe në institucione, derisa mundohen ta arsyetojnë edhe mungesën e tyre, duke thënë se ata janë të emëruar politikë e jo me kontratë, sikurse ndodh në mes të punëdhënësit e punëmarrësit.

Megjithëse serbët po thonë se për kthimin e Listës në institucione pyetet Beogradi e jo Prishtina, zëdhënësi i qeverisë këto deklarime i quan vetëm për konsum të brendshëm, derisa thotë se e presin kthimin e shpejtë të tyre.

Ndërkohë, opozita kërkon nga kryeministri ta luajë rolin e vërtetë dhe t’i shkarkojë këta ministra rebelë ose ta prishë krejt koalicionin e jo t’i lejojë ata që të shkelin edhe ligjet dhe kushtetutën e Kosovës.

Në AAK vazhdojnë të mos e konsiderojnë Isa Mustafën si kryeministër, por vetëm si pjesëmarrës në qeveri, derisa thonë se karshi provokimeve serbe, ai po i mbyll veshët sepse i mungon guximi të veprojë.

Ndërkohë, në Vetëvendosje thonë se për ta shkarkuar Jabllanoviqin, Mustafës iu desh presioni qytetar, të cilin nuk e përjashtojnë as tash.