Qeveria e Kosovës dënon aktet nacionaliste që pengojnë sportin

E publikuar: 23/03/2018 19:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria e Kosovës ka reaguar lidhur me ndeshjen hendbollistike Serbi-Kosovë në kategorinë e femrave U20. Përmes një komunikate Qeveria e Kosovës dënon aktet nacionaliste që e pengojnë sportin.

“Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh keqardhje të thellë për rrethanat e krijuara në Kragujevc, ku u pamundësua zhvillimi i ndeshjes hendbollistike ndërmjet ekipeve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë në kategorinë e femrave U20.

Janë të dënueshme aktet nacionaliste të cilat pamundësojnë zhvillimin e ndeshjeve të karkaterit ndërkombëtar, pikërisht në kohën kur po bëhen përpjekje për relaksimin e marrdhënieve ndërmjet shteteve tona, si dhe për proceset e integrimeve Euro-Atlantike.

Krijimi i situatave të frikshme dhe armiqësore, kur në fushë të sportit duhej të shfaqeshin vajza të reja të cilat do të ofronin lojë dhe spektakël sportiv, është papërgjegjësi e shtetit serb dhe institucioneve të rendit dhe të sigurisë të Serbisë”.

Kosova U20 ka fituar në tavolinë ndaj Serbisë, pasi paraprakisht Qeveria serbe urdhëroi pezullimin e ndeshjes me arsyetimin se nuk duan të ketë përplasje mes Policisë dhe qytetarëve./rtklive/