Qeveria e ka lënë për qershorin e vitit 2019 t’ia japë “Bechtel & Enkas” 53 milionët

E publikuar: 17/09/2018 20:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka folur rreth punimeve në rrugët e Kosovës.
Lekaj ka thënë se sa i përket autostradës “Arbën Xhaferi”, do të përfundojë së ndërtuari në dhjetor të këtij viti.

“Do të jetë rruga me standardet më të mira në rajon. Ura 6 kilometërshe, tejet piktoreske, do të jetë atraktive për turizëm”, ka thënë Lekaj.

Lekaj ka thënë se nëse Bechtel & Enka nuk kryen punimet sipas planit, e presin penalltitë.

Lekaj ka folur edhe njëherë për 53 milionë eurot të cilat nuk i janë dhënë ende kompanisë turko-amerikane.

“Ne e kemi zbritur për 10 milionë duke kursyer buxhetin e Kosovës. Por ajo që duhet të them është se më ka ardhur shumë keq që na është dashur të ballafaqohemi me këtë situatë kur kontrata nuk është zbatuar për 22 muaj. E kuptojë shqetësimin e qytetarëve, sepse me ato para ne do të mund të bënim edhe shumë rrugë të tjera apo shumë shkolla, por kjo ka qenë situatë me të cilën ne jemi ballafaquar”, ka thënë Lekaj në Puls të KTV’së.

Qeveria ia ka ende borxh “Bechtelit” paratë.

“Nuk janë paguar, kemi kërkuar mirëkuptimin që ta paguajmë në qershorin e vitit të ardhshëm”, ka thënë ai.

Kur ka folur për rrugën Prishtinë – Mitrovicë, Lekaj ka pranuar se ajo është stërzgjatur.

“Projekti është stërzgjatur, për tri vjet. Janë 60 milionë euro fondacion arab, 12 milionët e para kemi angazhuar për lotin e parë, shumë shpejt hapim edhe tenderin për lotin e dytë. Qytetarëve të Mitrovicës duhet kërkuar falje për vonesat, por ju garantojë se nuk do të ketë stërzgjatje të këtij projekti”, ka thënë Lekaj.