Qeveria do të ndajë 300 mijë euro për Federatën e Hendbollit

E publikuar: 20/12/2018 17:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Federata e Hendbollit të Kosovës (FHK) ka kremtuar sot 65-vjetorin e themelimit, e me këtë rast ka marrë edhe një premtim për rritjen e buxhetit nga kryeministri Ramush Haradinaj.

Ky i fundit tha se qeveria iu gëzohet sukseseve të kësaj federate që po zhvillon sportin e hendbollit në Kosovë, e me këtë rast njoftoi se buxheti i Qeverisë dedikuar FHK-së do të rritet në vitin e ardhshëm në 300 mijë euro.

“Në vitin 2019, buxheti besoj do të shkojë deri në 300 mijë euro që ia ka ndarë Qeveria Federatës së Hendbollit. Në vitin 2018 ka qenë 230 mijë euro, pra do të shkojë deri në 300 mijë. Synimi i qeverisë është që të rritë përkrahjen në kategorinë e subvencioneve, investimeve kapitale, ku tri vitet e fundit ka rritje, që shkon deri në 50 për qind të rritjes së buxhetit për sport”, ka thënë Haradinaj.

Edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, konfirmoi rritjen e buxhetit për FHK-në, duke thënë se viti që po lëmë pas ka qenë i suksesshëm për sportin në Kosovë.

“Ka qenë një vit i kthesës jashtëzakonisht të mirë për sportin në Republikën e Kosovës, për të gjitha llojet e sportit, e në kuadër të kësaj e veçantë ka qenë edhe për hendbollin, është fat i mirë që sot, klubi “Istogu” është në 16 më të mirët të Challenge Cup dhe kjo na inkurajon neve edhe si ministri, por edhe si qeveri që të shohim edhe mundësi për mbështetje më të madhe”, ka thënë Gashi.

Kryetari i FHK-së, Eugen Saraqini, tha se gjatë këtyre dekadave punë të FHK-së, janë angazhuar mijëra persona e janë arritur shumë suksese. Me këtë rast, ai u ndau mirënjohje kryeministrit Haradinaj dhe ministrit Gashi.

“Gjenerata dhe individë të shumtë defiluan dhe u angazhuan gjatë 65 viteve të kaluara. Mundi i tyre, dashuria, sakrifica e tyre për sportin më atraktiv bëjnë që ne sot të jemi krenarë dhe të jemi të nderuar me gjithë arritjet që janë bërë prej mijërave individëve gjatë dekadave të kaluara”, ka thënë Saraqini.

Ndërsa kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, pati një premtim për krerët shtetërorë, teksa tha se investimi në sport i kthehet shtetit shumëfish.

“Dua sot t’i garantoj kryeministrit, por edhe ministrit të sportit se investimi në sport i kthehet shtetit dy deri në gjashtë herë, në varësi të aftësisë së drejtuesve të sportit, dhe përtej kësaj dua t’iu garantoj se jemi duke i bërë përpjekjet maksimale që mos të mbesim te kjo që vetëm dy herë t’i kthehet shuma që ju investoni, por t’i afrohet gjashtëfish”, ka thënë Hasani.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe kryetarë të federatave sportive nga Ballkani si dhe zyrtarë të lartë shtetërorë.

Pas fjalimeve u shfaq edhe një dokumentar rreth rrugëtimin e FHK-së gjatë 65 vjetëve të themelimit. /KP/