Qershori, muaji kur do të përmbushen të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave

E publikuar: 07/04/2015 15:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, është takuar sot në Paris me zyrtarë të lartë të shtetit francez të cilët kanë rikonfirmuar vazhdimin e mbështetjes së Francës ndaj agjendës evropiane të Kosovës.
Në tri takime të ndara që zhvilloi me sekretarin e shtetit për çështje evropiane, Harlem Desir, drejtorin për Evropën Kontinentale, Eric Fournier dhe me drejtorin për BE në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës, Pierre Levy, ministri Çollaku mori përkrahjen e tyre për procesin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, përmbushjen e kritereve për dialogun për liberalizimin e vizave dhe vazhdimin e procesit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“MSA-ja ka një rëndësi të veçantë për vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së dhe ne i jemi mirënjohës Francës për mbështetjen që po na ofron në këtë proces. Tani ne jemi duke lëvizur para në këtë drejtim dhe pritet që nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit të ndodh gjatë këtij viti. Ky do të jetë një hap i ri dhe i rëndësishëm në procesin reformues të Kosovës”, ka thënë Çollaku.
Sa i përket procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, ministri Çollaku, i ka njoftuar që deri në muajin qershor, do të jenë të përmbushura të gjitha kriteret për këtë proces dhe se pastaj raporti final do t’i dërgohet Komisionit Evropian për vlerësim, e më pas pritet të ndodhin edhe hapat e tjerë.
Në këto takime, ndër të tjera është diskutuar edhe për migrimin jo të rregullt e parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.
Ministri Çollaku, ka njoftuar zyrtarët francez me punën që ka bërë Kosova në rregullimin e infrastrukturës ligjore dhe veprimet konkrete për parandalimin e ekstremizmit dhe luftimin e terrorizmit. “Kosova është vendi i parë në rajon që ka dalë me Ligjin për parandalimin e pjesëmarrjes së qytetarëve të saj në konfliktet e armatosura jashtë vendit. Po ashtu jemi duke punuar në Strategjinë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm. Kosova ka dhënë mesazh të qartë që nuk do të toleroj asnjë organizatë dhe individ me bindje dhe platformë ekstreme fetare, politike apo ndonjë formë tjetër”, ka theksuar ai.
Në aspektin e bashkëpunimit bilateral, ministri Çollaku është fokusuar në thellimin e bashkëpunimit sidomos në kuadër të zhvillimit ekonomik dhe tërheqjes së investitorëve francez për të investuar në Kosovë.
Në këtë kontekst, ai ka theksuar rëndësinë e madhe që ka përmbyllja me sukses e privatizimit të Qendrës së skijimit në Brezovicë si një mesazh i qartë inkurajues për investitorët francez.