Qëndrimi në dialog i Grenellit, dëshmi se SHBA-të duan me çdo kusht marrëveshje Kosovë-Serbi

E publikuar: 20/02/2020 20:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të jenë të përkushtuara për arritjen e marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Richard Grenell, i dërguari i presidentit amerikan, Donald Trump për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, vazhdon ta mbajë këtë post pavarësisht se ai sot është emëruar ushtrues detyre i Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare.

Se Grenell do vazhdojë ta mbajë pozitën e emisarit, këtë e ka konfirmuar për lajmi.net, edhe zëdhënësi i tij Dick Custin, i cili ka bërë të ditur se Grenell dhe SHBA-të mbesin 100 për qind të përkushtuara në dialogun Kosovë-Serbi.

“Dua të theksoj se Ambasadori Grenell është pajtuar me kërkesën e presidentit Trump për të marrë pozitën e Ushtruesit të Detyrës së Drejtorit për Inteligjencë Kombëtare për një periudhë të limituar kohore, dhe se Shtëpia e Bardhë do të publikojë të nominuarin e saj së shpejti. Bazuar në këtë, Ambasadori Grenell do të vazhdojë të mbetet Ambasador i SHBA-së në Gjermani dhe atë të Përfaqësuesit Special Presidencial për dialogun Kosovë-Serbi për negociatat e paqes, për të cilat ai mbetet 100 për qind i përkushtuar”, ka treguar Custin.
Valon Syla, njohës i çëshjteve politike, ka thënë për lajmi.net, se kjo është e pazakontë që po ndodhë mirëpo, sipas tij, kjo tregon se Shtëpia e Bardhë është e përkushtuar për finalizimin e marrëveshjes me Serbinë, përkatësisht finalizimin e pavarësisë së Kosovës në të gjitha aspektet dhe nivelet ndërkombëtare.

“Është e pazakontë që një përfaqësues amerikan i Presidentit Trump të jetë, edhe ushtrues i detyrës në inteligjencë edhe të jetë emisar diplomatik. Kjo tregon që përkushtimi i Shtëpisë së Bardhë mbetet shumë i përkushtuar, me një Emisar që është i pajisur me të gjitha sferat e pushtetit dhe shtetit amerikan e që mbetet i përkushtuar për finalizimin e pavarësisë së Kosovës në të gjitha aspektet dhe nivelet ndërkombëtare”, ka thënë Syla për lajmi.net.

Edhe Imer Mushkolaj, njohës i çështjeve politike në vend, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe një herë po e dëshmojnë që janë të përkushtuara në arritjen e marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Së pari vet emërimi i tij në një pozitë aq të rëndësishme e cila është si me thënë ombrellë e 17 agjencive që kanë të bëjnë me sigurinë në SHBA është shenjë se ky përnjëmend është njeri shumë i besueshëm i Trumpit edhe me këtë logjikë duke e pasur parasysh edhe aktivitetin që e ka kryer deri tash si ndërmjetës në dialog, besoj që ai ka me vazhdua punën e ndërmjetësit. Vazhdimi i postit të tij si i dërguar special i presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, është dëshmi që SHBA-të nuk ndryshojnë qëndrimin e tyre për politikë të jashtme dhe se janë të përkushtuar në zgjedhjen e çështjes së marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi Mushkolaj për lajmi.net.

Sipas tij, ende nuk dihet nëse do të përshpejohet procesi i dialogut pas marrjes së detyrës së re të Grenellit, por që siç theksoi Mushkolaj, kryeministri Albin Kurti dhe partnerët e koalicionit qeverisës do të duhej ta kuptonin deri më tani presionin për heqjen e taksës dhe vazhdimin e dialogut me Serbinë.

“Por tash se a do ta përshpejtojë procesin, prapë po them se nuk besoj që ky emërim do të ndikojë në përshpejtim ose ngadalësim, por ne e dimë që Qeveria Kurti dhe vet Kosova tash është në njëfarë presioni shumë të madh që sa më shpejt me e heq taksën edhe me vazhdua dialogun edhe është mesazhi i qartë i cili po besoj që është lexua mirë dhe ashtu siç duhet edhe prej Kurtit edhe prej të tjerëve që janë në koalicionin qeveritar”, theksoi Mushkolaj.

Edhe Agon Maliqi, analist politik, ka bërë të ditur se emërimi i Grenellit si ushtrues detyre i Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare amerikane, do t’i japë shtysë dialogut Kosovë-Serbi.
Ai përmes një postimi në profilin e tij zyrtar ka shkruar se, i takon politikanëve kosovarë e në veçanti kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit, Hashim Thaçi, që të bashkëpunojnë.

“Gaboheni rëndë nëse mendoni se Grenell nuk ka me u marrë me neve tash që ka hip atje lart. Madje, gjasat më të mëdha janë se ka për të ndodhur e kundërta – ka me i dhanë shtysë kësaj pune prej pozitës ma të lartë të mundshme si projekt personal, meqë ambiciet me gjasë i ka për Sekretar të Shtetit në mandatin e dytë të Trump (nëse ky fiton, e për momentin gjasat realisht nuk i ka të këqija). Madje, sipas raportimeve të deritanishme të medieve, Grenell me gjasë do ta mbajë paralelisht edhe postin e Ambasadorit në Gjermani. Kjo nuk është një administratë tradicionale amerikane, operon gati si qeveri ballkanike. Në këtë moment është jetik një konsensus kombëtar, veçanërisht mes Kurtit (si njeriu me legjitimitetin më të madh politik) dhe Thaçit (si njeri me peshë që e ka imponu veten në këtë proces), për hapat në vijim. Kjo qasje e deritashme e hezitimit të skajshëm (nga Kurti) dhe protagonizmit të tepërt (nga Thaçi) mundet me na marrë në qafë keq. Kosova, e madhe sa një lagje e Stambollit, është duke e mbivlerësuar peshën e vet në këtë periudhë shkundjesh tektonike”, ka shkruar Maliqi.

Theksojmë se që nga koha kur Grenell është emëruar si i dërguari special i presidentit Trump për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Prishtina dhe Beogradi kanë nënshkruar tre marrëveshje.

Marrëveshjet që janë nënshkruar në Berlin të Gjermanisë janë ajo për linjën ajrore, hekurudhore dhe autostradat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.