Qendra për Menaxhim Kufitar sqaron vendimin për hyrje në Kosovë

E publikuar: 02/06/2020 14:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka sqaruar vendimin për çështjen e hyrjes në Republikën e Kosovës.

Sipas këtij vendimi, të gjithë personat që hyjnë në vend dhe e kanë të kryer testin për COVID-19, jo më të vjetër se katër ditët e fundit, nuk janë të obliguar të qëndrojnë në vetizolim.

Përmes një postimi në profilin zyrtar në rrjetin social Facebook, kjo qendër ka bërë me dije se në rastin kur nuk janë test, ata nënshkruajnë deklaratën për vetizolim për shtatë ditë, derisa kur ekipi mjekësor vlerëson se kanë simptoma, i japin udhëzime si të veprojnë.

“Për të hyrë në Republikën e Kosovës, shtetasit e huaj që nuk kanë test të COVID-19 duhet të kenë dëshmi të ligjshme për vendqëndrimin e tyre në Kosovë. Kjo bëhet në mënyre që të sigurohet se ata do të respektojnë masën e vetë izolimit. Andaj ata persona që nuk paraqesin dëshmi të vendqëndrimit ku do ta mbajnë vetë izolimin nuk lejohet të hyjnë në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Përjashtim nga ky rregull bëjnë studentët të cilët vijnë në Republikën e Kosovës për nënshtrim të provimeve, me kusht që të kthehen ne vendet e tyre të njëjtën ditë dhe ata që e shfrytëzojnë Kosovën si vend transit.

“Hyrja bëhet duke dëshmuar identitetin studentor me një dokument të vlefshëm të lëshuar nga Institucioni përkatës Arsimor në Republikën e Kosovës”, sqaron kjo qendër.