Që Ushtria mos me përfundue si muralet e Kuvendit!

E publikuar: 09/03/2017 01:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga:Petrit Musolli
Ushtria e ardhshme e Kosovës, nuk ish dashtë me u mendue pa pajtimin e përfaqësimin e serbëve vendor. Ma shumë se nevoja me ja shtue kapacitetet e ndryshue mandatin – Forca, sot edhe nesër, e Kosovës, ka nevojë me ruejt besimin e fituem ndër tana etnitë.Ma shumë sesa nga kapacitetet e shtueme e mandati i ndryshuem i Forcës së Sigurisë, integriteti e sovraniteti i Kosovës, ka me u mvar nga përcaktimi ynë për shoqninë që duem me ndërtue! Devijimi nga zotimi me ndërtue institucione të pranueme e pranueshme për tana etnitë, asht minimi ma direkt që mundemi me i ba argumentit që arsyeton shtetin e Kosovës.
Gatishmënia e jonë (shqiptarëve) me garantue siguri e barazi për tana etnitë, asht e vetmja rrugë me i ruejt e forcue themelet e shtetit, në të kundërtën, veç kem me ndihmue tregimin (e njoftun) të Serbisë për Kosovën. Prandaj, Serbia, asht kaq e interesueme me ndjellë frikë te shqiptarët nga serbët vendor dhe anasjelltas. Shqiptarët me besue rrezikimin e shtetit nga serbët vendor, kurse serbët vendor – rrezikun nga shteti i Kosovës.Nëse ushtria themelohet kështu si asht mendue, pa pajtimin e përgjithshëm, të parapamë me Kushtetutë, shqiptarët kanë me ja vnue kapakun argumentit të Serbisë, që tanë këte kohë, në tana mënyrat e format e mundshme, asht tue na nxitë me e dëshmue. Kjo ushtri, s’ka me u identifikue ma si nji forcë për mbrojtjen e qytetarëve, tanë qytetarëve! Nga serbët, ndoshta me të drejtë, ka me u kuptue si nji kërcënim i drejtëpërdrejtë për ta. Siguria e tyne nuk garantohet me premtime verbale, ajo duhet provue me garanci ligjore.Sado që Kushtetuta i ban të vështira zgjidhjet e çështjeve komplekse të natyrave e interesave nacionale, tekefundit, ajo asht mendue kësisoj – me i nënshtrue vendimarrësit ndaj nji kompromisi e koncensusi të gjerë, që zgjidhjet me qenë të qëndrueshme, përtej nji mandati qeverisës apo parlamentar! Që ato mos me u mbivotue nga nji shumicë e caktueme, për nji interes të caktuem.Nëse Presidenti, Kuvendi e Qeveria, nuk munden me i bind përfaqësuesit serb, ndoshta, duhet hapë nji debat publik me qytetarët e rëndomtë serb, si për ushtrinë ashtu edhe për tana keqkuptimet që mund t’i kenë. Pamvarësisht sa janë të manipuluem sot, demonstrimi ynë (si shumicë), për nji shtet të ndërtuem mbi nji shoqni të bazuem në barazi – ka me i inkurajue, në mos sot, nesër – me mendue dyherë para se me i zgjedhë përfaqësuesit e vet, tue peshue interesat e veta.
Themelimi i ushtrisë, duhet reflektue kulmimin e mirëbesimit ndëretnik dhe jo të kundërtën! Ajo duhet lehtësue qytetarët e jo frikësue! Duhet përcjellë ndjenën e sigurisë e jo të kërcënimit! Nuk duhet synue nji ushtri për tjerët, çfarë kanë qenë ushtritë tjera për ne! Thanë ndryshe, nuk duhet lejue dyshime te serbët vendor se, Ushtria e Kosovës, ka me qenë për ta – sikurse ka qenë ushtria e tyne për ne!Ushtrinë e Kosovës, serbët vendor, duhet parë e pranue si sigurinë e tyne, si forcën ma të afërt të mbrojtjes së jetës e drejtës së tyne. Ndoshta, asnji ma shumë se serbët nuk kanë nevojë për nji forcë të besueshme të sigurisë në Kosovë, tue pasë parasysh faktin se ndihen ma të cenueshmit. Kurse, detyra jonë, si shumicë, asht me ua ofrue këte siguri!