Punëtori që u dënua me 16 mijë euro nga Limak u kërcënua me përmbarues privat

E publikuar: 13/08/2019 13:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Sindikatës së Aeroportit, Bashkim Latifi, ka thënë se punëtori që u dënua me 16 mijë euro nga kompania Limak, është kërcënuar nga menaxhmenti me përmbarues privat.

Latifi në një intervistë për Buletinin Ekonomik ka shpalosur detaje te reja rreth kushteve të punëtorëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP).

“Janë dhjetë punëtorë që janë dënuar me nga 5 mijë deri në 16 mijë euro. Një rast e kemi me 16 mijë euro. Ky është kërcënuar së fundi se nëse e lë punën do ta dërgojnë tek përmbaruesi për 16 mijë eurot”, ka thënë Latifi.

Ai ka treguar se menaxhmenti i Limak-ut i ka detyruar të gjithë punëtorët ta nënshkruajnë një dokument, i cili thotë se për çdo gabim eventual të punëtorëve, ata do të dënohen.

“Punëtorëve u është ofruar të nënshkrujnë një marrëveshje që në rast të ndonjë dëmi të shkaktuar pavetëdijshëm, atë dëm që ia cakton menaxhmenti është i obliguar ta paguaj punëtori qoftë përmes llogarive të Limak-ut apo përmbaruesit”, ka thënë Latifi, i cili me këtë rast ka paralajmëruar edhe vazhdim të prostestave. /Buletini Ekonomik/