Punëtorët e Shërbimit Korrektues të enjten sërish protestojnë

E publikuar: 12/02/2019 15:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Të pakënaqur me koeficientin e pagave, po dalin të jenë edhe sindikalistët e Shërbimit Korrektues. Ata thonë se si shkak i mos përmbushjes së premtimeve, të enjten do të organizojnë edhe protesta para Qeverisë së Kosovës, përmes së cilës do të kërkojnë që koeficienti i pagave të tyre të lëvizë nga 1.85 në 2.2. Ata madje kërkojnë nga presidenti që të mos dekretojnë Ligjin për Paga, sepse si të tillë e quajnë diskriminues dhe “të fortëve”.

Kryetari i Sindikatës së Shërbimit Korrektues të Kosovës, Zenun Sadikaj në një intervistë me KosovaPress thotë se sindikalistët janë të zhgënjyer nga ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri. Sipas tij, ky i fundit nuk e mbajti fjalën që ua kishte dhënë, që koeficienti nga 1,85 të lëvizë në 2,2, që të jenë të barabartë me Policinë e Kosovës dhe zjarrfikësit.

Të hënën sindikalistët kishin mbajtur një protestë para Qendrës Korrektuese të Dubravës, asaj të Lipjanit si dhe të Sigurisë së Lartë.

E kësaj radhe, Sadikaj ka njoftuar se të enjten do të mbahet protestë para Qeverisë së Kosovës, nga do të marshohet drejt sheshit “Zahir Pajaziti”.

“Sot isha në Polici dhe mora konfirmimin që të enjten në ora 11:00 deri në orën 12:00, të organizojmë një protestë të qetë të të gjithaqendrave korrektuese dhe të paraburgimit të Kosovës. Protesta do të mbahet para Qeverisë, mund të defilojmë deri tek sheshi”Zahir Pajaziti”, ashtu jemi marrë vesh edhe me Policinë. Protesta do të jetë e qetë dhe besoj që nuk do të ketë kurrfarë problemi, sipas premtimeve që i kemi marrë edhe nga stafi dhe qendrat e tjera korrektuese”, tha ai.

Ai tha se si staf i Shërbimit Korrektues, puna e tyre nuk është aspak e lehtë. Madje, ai ka kritikuar edhe ligjin që trajton këta punëtorë.

“ Shërbimi Korrektues nga ana e legjislacionit është shumë e mangë. Ne nuk kemi ligj të mirëfilltë të tonin, ne as udhëzim administrativ nuk kemi. Ne trajtohemi me disa ligje, do të thotë kujt qysh i konvenon. Herë me ligj të shërbyesve civil. Herë me ligjin e punës, që ligji i punës është diskriminues për klasën punëtore. Ligji i punës është i favorshëm më tepër për sektorin privat, jo për ne. Edhe e kemi ligjin për sanksione penale, i cili nuk është komplet, për stafin shumë pak flitet aty”, ka shtuar ai.

Ai ka besuar që pas këtyre protestave do të reflektojë ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri. Mes tjerash ka thënë se pret të kenë takim me të, që kërkesat e tyre të shkojnë edhe tek presidenti i vendit, që ky ligj që të mos dekretohet.

Si të tillë, ai e quajti Ligj të të “fortëve”, ku sipas tij bëhen diskriminime të mëdha. E në rast të mos zbatimit të kërkesave të tyre, Sadikaj ka treguar për KosovaPress, se si do të veprojnë.

“Siç dihet edhe më herët ne sindikata e Shërbimit Korrektues nuk kemi të drejtë greve, mirëpo presim nga ministri ose organet tjera gjegjëse të drejtorisë qendrore që të ketë reflektim për këtë punë dhe të përfundoj si është më së miri për të dyja anët”, ka përfunduar Sadikaj.

Kujtojmë se të pakënaqur me Ligjin për paga janë shprehur disa sektorë publik. Pakënaqësia e tyre ka rezultuar me protesta e greva, ku shquhen ato të mësimdhënësve dhe të mjekëve.