Punëtorët e Kontrollit ajror “protestojnë” kundër Ligjit të pagave

E publikuar: 04/02/2019 10:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sindikata e Kontrolleve të Trafikur Ajror dhe Shoqata Sindikale e Punëtorëve të Kontrollit Ajror, kanë njoftuar që në shenjë pakënaqësie ndaj mospërmbushjes së kërkesave me ligjin për paga, që nga sot do të ofrojnë vetëm shërbim bazik. Ata kanë paralajmëruar edhe grevën që do ta mbyllte të vetmen portë ajrore të Kosovës për trafikun komercial.

Sipas sindikatave të gjithëve aeroplanëve komercialë nuk do t’i ofrohet asnjë shërbim shtesë që do të rezultojë me shkurtimin e kohës së fluturimit, dhe kështu çdo fluturim do të vonohet së paku 20 minuta në shkuarje dhe në ardhje, raporton KsP.

“Ky është vetëm hapi i parë në shenjë proteste i kontrollorëve deri në realizimin e kërkesave tona të vetme për largimin nga ligji i pagave i Agjencisë të Shërbimeve të Navigacionit Ajror, i cili është agjencion me të ardhura vetanake dhe që duhet të qëndrojë i pavarur sipas të gjitha praktikave dhe ligjeve të Bashkimit Evropian.

Të dy sindikatat i kanë kërkuar presidentit Thaçi që ta kthejë në rishqyrtim ligjin për paga në mënyrë që Kuvendi të bëjë ndryshime e kërkuara. Po ashtu, kanë paralajmëruar që nëse nuk përmbushën kërkesat e tyre, do të detyrohen të kalojnë në hapat më radikal, duke mos përjashtuar edhe grevën që do ta mbyllte të vetmen portë ajrore të Kosovës për trafikun komercial.