Punëtorët e KEK-ut kërkojnë rritje pagash

E publikuar: 23/05/2017 16:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sindikata e Pavarur Energjetike e Kosovës ka kërkuar nga bordi i dhe menaxhmenti i KEK-ut një rritje të re të pagave në vlerën prej 100 eurove në mënyrë lineare.

Përmes një kërkese drejtuar Bordit të KEK-ut, Sindikata e Pavarur Energjetike e Kosovës ka bërë kërkesë për rritje pagash duke filluar nga muaji korrik.

“Kërkojmë ngritje pagash për punonjësit e KEK-ut me fillim nga paga e muajit korrik në vlerën neto 100 euro në mënyrë lineare”, thuhet në kërkesën e sindikalistëve.

Sindikata rritjen e pagave e kërkon si rezultat të përgjegjësive, rrezikut dhe shtimit të vëllimit të punës në Korporatë. E shtimi i vëllimit të punëve, sipas sindikatës, ka ardhur si pasojë e pensionimit të një numri të madh të punëtorëve si dhe vendimit të menaxhmentit për mos-zëvendësim të tyre.

Gjithashtu, sindikata thotë se që nga viti 2014 kur ishte bërë rritja e fundit e pagave kemi një rritje të çmimeve të konsumit.

Nxitëse e kësaj kërkese të sindikatës është edhe iniciativa e fundit e qeverisë për rritje të pagave.

“Marrë parasysh që në sektorët tjera të shërbimeve publike të Kosovës vetë qeveria ka filluar përgatitjet për ngritje të pagave edhe pse niveli i tyre është më i lartë sesa i punonjësve të KEK-ut, duke krahasuar pagat edhe me kompanitë tjera në Kosovë”, thuhet në kërkesën që kryetari i sindikatës, Izet Mustafa ia ka dërguar menaxhmentit dhe bordit të KEK-ut.

Në fund thuhet se nëse kërkesa e tyre nuk merret parasysh do të përdorin mekanizma të tjerë, siç janë grevat dhe protestat.

“Shpresojmë që organet gjegjëse të gjejnë mundësinë e përmbushjes së kërkesës dhe në këtë mënyrë të respektohet vullneti i punonjësve e njëkohësisht edhe SPEK-ut, me këtë që të mos ketë nevojë të përdorë mekanizmat tjerë të presionit për të realizuar kërkesat e anëtarëve të vet”, thuhet në kërkesën e sindikalistëve./Kallxo.com