Punësimet e familjarëve nxisin reagime në opinion

E publikuar: 13/02/2019 18:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Punësimi i familjarëve të zyrtarëve të Maqedonisë së Veriut, në institucione të caktuara shtetërore, ka nxitur reagime të ashpra në opinion.

Baxhanaku i kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë së Veriut,Talat Xhaferit është zgjedhur zëvendëskryetar i Komisionit për parandalimin e korrupsionit. Ndërkaq, motra e ministrit të Ekonomisë Kreshnik Bekteshi , Vlora Bekteshi është punësuar në korporatën energjetike ELEM dhe MEPSO bashkë me motrën e ministrit të Kulturës Asaf Ademi, Hidajete Ademi.

Në këtë korporatë ku pagat tejkalojnë dyfishin e pagës mesatare, së fundmi janë pranuar edhe Viktor Stojçevski, djali i deputetes socialdemokrate, Mira Stojçevska, si dhe Dimitar Grçev, djali i funksionarit Mirosllav Grçev.

Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit, që në seancën e parë, ka konstatuar se nuk ka pasur konflikt interesi gjatë zgjedhjes së Nuri Bajramit në këtë komision , megjithëse ai është baxhanak i kryeparlamentarit Xhaferi.

“Do t’i shikojmë të gjitha rastet, pa përjashtim”, ka deklaruar kryetarja e Komisionit anti-korrupsion, Biljana Ivanovka, megjithëse ka shtuar se çështja e konfliktit të interesit është çështje që prek normat morale dhe etike të bartësve të funksioneve shtetërore.

Ekspertët në këtë lëmi thonë se për Komisionin shtetërorë për parandalimin e korrupsionit, testi i parë dhe më i rëndësishëm do të jetë zbatimi i Ligjit për konflikt interesi.

Temellko Ristevski, njohës i çështjeve juridike për Radion Evropa e Lirë shprehet i prerë se në Maqedoninë e Veriut ekziston baza ligjore për të eliminuar nepotizmin në institucionet e shtetit. Por, sipas tij, një gjë e tillë mund të arrihet vetëm nëse zbatohen dispozitat ligjore.

“Edhe në Kushtetutë, në nenin 9 është definuar qartë barazia e qytetarëve në realizimin e të drejtave nëse ju duket se favorizoni dikë vetëm pse është i i afërm i familjes, automatikisht dikujt tjetër i kërcënohen të drejtat për të qenë i barabartë. Pra, korniza ligjore ekziston, por për fat të keq mungon shprehia për të respektuar ligjet”, thotë Ristevski.

Ndërkaq, Xhelal Neziri nga organizata joqeveritare Scoop, problemin e shfaqjes së nepotizmit e vendos te vetëdija e politikanëve, të cilët, sipas tij, punësimin e familjarëve e marrin si çështje të mirëqenë, ndërkohë që mungon transparenca sa i përket plotësimit të kritereve të caktuara në konkurse gjatë përzgjedhjes së fituesve.

“Është një çështje që më tepër ka të bëjë me etikën, përkatësisht normat morale të cilat respektohen në çdo shoqëri normale, sesa që ka të bëjë me shkeljen e ndonjë norme ligjore. Pra, nuk mundet që pjesët që i mbulon etika t’i rregullojë ligji. Pra, çdo gjë që është ligjore, politikanët mendojnë se është e lejueshme dhe e bëjnë atë pa problem”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Xhelal Neziri.

Ai shton se reagimi i opinionit publik ndaj kësaj dukurie, kësaj radhe mund të vlerësohet si hap i parë për të larguar, siç shprehet ai “këtë gangrenë”, që po dëmton funksionimin e organeve të shtetit.

“Për herë të parë mund të them se kritikohet kjo si dukuri, e them për herë të parë se edhe gjatë kohës së Qeverisë së kaluar, pjesa më e madhe e punësimeve janë bërë mbi baza familjare. Kësaj qeverie më së paku i lejohet të bëjë punësime të tilla, e them më së paku, sepse kjo qeveri fitoi votat sepse qytetarëve u premtoi se do të luftojë dukurinë e nepotizmit dhe jo të ecë në të njëjtën rrugë”, thotë Neziri.

Edhe Temellko Ristevski thotë se vetëm përmes presionit publik, zyrtarët do të shtrëngoheshin që të respektojnë ligjet.

“Më gëzon kjo që ka reagim të ashpër në opinion sepse kjo thënë kushtimisht i demaskon udhëheqësit”, thotë Ristevski.

Ndryshe, socialdemokratët e kryeministrit Zoran Zaev janë arsyetuar se kanë qenë më shumë se një dekadë në opozitë dhe familjarët e tyre pa të drejtë janë eliminuar nga konkurset, pikërisht pse kanë qenë të afërm të drejtuesve të kësaj partie, dhe tani shohin asgjë të keqe nëse të afërmit e tyre pranohen në institucionet e shtetit, nëse i plotësojnë kushtet për punësim.

Nga partia maqedonase në opozitë kanë theksuar se ndërmarrjet shtetërore, zyrtarët e lartë i kanë shndërruar në ente punësimi të rezervuara për të afërmit e tyre.