Punësime pa konkurs dhe avancime të dyshimta në Telekom

E publikuar: 15/07/2019 07:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Telekomi i Kosovës gjatë vitit të kaluar ka ngritur në pozita dhe grada 296 punonjës të saj pa ndonjë kriter. Nga grada 5, kjo ndërmarrje kishte ngritur punonjës në gradën 14. Lëvizje pati edhe nga grada 7 në 15, nga grada 7 në 12, nga grada 10 në 14 dhe nga grada 10 në 15.

Këto lëvizje sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit janë bërë pa argumentim se cili kriter është përdorur në lëvizjet e stafit, shkruan sot “Koha Ditore”. “Kjo ka ndodhur si shkak i mungesës së kritereve të qarta dhe të përcaktuara për lëvizjet e stafit në Politikën e seleksionimit dhe rekrutimit”, thuhet në raportin e ZKA-së për Telekomin për vitin 2018.

Aty thuhet se “në Politikën e rekrutimit dhe seleksionimit nuk janë paraparë kritere për lëvizjet e stafit në grada dhe pozita, mirëpo këto gradime në bazë të politikës në fuqi janë nën kompetencën e kryeshefit ekzekutiv në bashkëpunim me departamentin e Burimeve Njerëzore dhe departamentet përkatëse kërkuese”. Por, sipas ZKA-së, në mungesë të një politike për avancimet rritet rreziku për trajtim jo të barabartë dhe mund të krijojë diskriminime në gradimin e stafit.

Raporti për Telekomin është opinion i kundërt sa u përket pasqyrave financiare. Kjo pasi, sipas Auditorit, kjo ndërmarrje nuk ka paraqitur pasqyra financiare të drejta dhe të vërteta.