Publikohen foto të operacionit të nxjerrjes së trupit të pajetë të 53-vjeçarit nga liqeni i Livoçit

E publikuar: 03/02/2019 19:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka publikuar fotografi nga operacioni i nxjerrjes së një viktime nga uji i liqenit të Livoçit të Gjilanit. Një skuadër e Kërkim-Shpëtimit në Ujëra e FSK-së me vendim të ministrit të Mbrojtjes, Rrustem Berisha dhe urdhër të komandantit të Ushtrisë, gjeneral-lejtenant Rrahman Rama, është angazhuar mbrëmë rreth orës 22:00 në vlerësimin e gjendjes në liqenin e Livoçit, pas njoftimit nga Policia për dyshimet se aty kishte rënë një person nga Gjilani. Operacioni i kërkimit nga zhytësit e FSK-së ka filluar sot në ora 09:00. Operacioni është zhvilluar në kushte të vështira për shkak se sipërfaqja e ujit mbi liqe ishte ngrirë. Megjithatë, në saje të një pune profesionale, specialistët e FSK-së kanë arritur që të identifikojnë lokacionin dhe nxjerrin në breg trupin e viktimës. Forcat e FSK-së trupin e pajetë të viktimës ua kanë dorëzuar Policisë së Kosovës dhe ekipeve të Mjekësisë Ligjore për procedurat e mëtejshme. Këto janë fotot e operacionit për nxjerrjen e trupit të viktimës.
Sipas Policisë së Rajonit të Gjilanit, viktima është E.Sh., i lindur më 1966. Dyshimet se ai kishte rënë në liqe kishin lindur pas gjetjes së veturës së tij buzë liqenit. Vetura i kishte dyert e hapura. /kallxo.com