PTK prezenton investimin modern prej 35 milionë euro

E publikuar: 10/04/2015 17:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Drejtori menaxhues i kompanisë më të madhe publike në Kosovë, PTK, i ka prezentuar ministrit për Zhvillim Ekonomik, Blerand Stavileci, investimin prej rreth 35 milionë eurove, investim i cili pritet të përfundojë zyrtarisht më 28 prill.

Ky investim, që ka të bëjë me shtrirjen e rrjetit 3G dhe 4G, e kthen PTK/VALA-n në njërën prej kompanive më moderne dhe më inovative në të gjithë Ballkanin sa i përket plaftormës së internetit të shpejtë.

Gjithashtu, investimi si i tillë ka qenë njëri prej më komplekseve që ka realizuar PTK gjatë viteve të fundit, duke përmbyllur ciklin e kompanisë drejt modernizimit dhe avansimit.

“Sot ia prezentuam ministrit njërin prej investimeve më serioze që ka realizuar PTK. Mund t’iu njoftojmë se ky investim gjigant do të përfundojë më 28 prill. Mund të them se me përfundimin e këtij projekti, PTK jo vetëm në Kosovë, por edhe në të gjithë regjionin do të jetë lider sa i përket teknologjisë”, tha drejtori menaxhues i PTK-së, Agron Mustafa .

Ky projekt i internetit të shpejtë 3G dhe 4G, pritet që të ketë mbulueshmëri gati në të gjithë territorin e banuar të vendit ku do të mund të shërbehen të gjithë konsumatorët.

“Erdhëm sot këtu për t’u njohur me të tashmën dhe të ardhmën e kompanisë më të madhe në vend, duke marrë sinjale të qarta dhe pozitive nga Bordi dhe menaxhmenti i saj, lidhur me fazat e zhvillimit. Qeveria do të ofrojë përkrahje strategjike në avansimin teknik dhe profesional të kompanisë”, bëri të ditur ministri për Zhvillim Ekonomik, Blerand Stavileci.

Implementimi i këtij projektit vjen pasi PTK kalojë në dy procese komplekse dhe të dështuara të privatizimit, të cilat bën që kompania të mbetet mbrapa sa i përket teknologjisë dhë rënies së të hyrave.