PTK nuk privatizohet pa u modernizuar

E publikuar: 06/04/2015 13:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Posta dhe Telekomi i Kosovës (PTK), nuk do të privatizohet këtë vit. Ky proces është i domosdoshëm për ekzekutivin, mirëpo derisa të rritet vlera e saj, PTK nuk do të hidhet në shitje. Këtë e ka bërë të ditur për “KosovaPress”, Ramadan Sejdiu drejtor i Njësisë për Politika dhe Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.

Për opozitën PTK është aseti më i rëndësishëm dhe për mënyrën se si duhet të veprohet më tutje duhet të vendosë parlamenti. Ndërkaq, Qeveria në programin e vet ka paraparë që duhet të rishikohet strategjia për PTK-në. “Në programin e Qeverisë parashihet të rishikohet strategjia për PTK-në dhe të punohet në përmirësimin e performancës së saj, derisa t’i rritet vlera në treg dhe të krijohen kushtet në një periudhë afatmesme për privatizimin e saj”, tha drejtori Sejdiu.

Sipas tij, procesi i privatizimit është një domosdoshmëri për operatorët e telekomit, sepse nuk ka asnjë shtet në rajon që e ka 100 për qind në pronësi publike operatorin e telekomit dhe mbi 95 për qind e të hyrave në nivel global në sektorin e telekomit arrihen prej operatorëve të privatizuar të telekomit. “Mirëpo, meqë PTK-ja është njëra prej kompanive më të rëndësishme publike që kemi, pasi ajo t’i përmirësoi aftësitë e saj konkurruese në treg, për ecurinë e mëtejshme dhe formën e saj të privatizimit, ne do të diskutojmë edhe në Kuvend dhe do të kërkojmë konsensus politik”, thotë Sejdiu.

Ndërkohë,Besa Gaxheri, anëtare e Komisionit parlamentar për Buxhet dhe Financa, thotë se PTK duhet të privatizohet, pasi sipas saj është një aset shumë i vlefshëm dhe se në të kaluarën është zhvlerësuar nga keqmenaxhimi. “Koha tash është të merren organet kompetente me vlerësimin e kësaj kompanie dhe punës që është bërë në të. Të merren në përgjegjësi personat të cilët e kanë e zhvlerësuar këtë kompani….Kështu që unë mendoj që qeveria duhet të punojë me organet ose me ministrinë adekuate të bëjë strategji konkrete, që për 3-4 vjet kompania të jetë shumë më rentabile, të modernizohet dhe pastaj ta përgatisim për tregun që vërtet ka qenë dhe duhet të jetë një aset shumë i vlefshëm për treg në regjion dhe më gjerë:, thotë Gaxheri.

Pal Lekaj, anëtar i Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik, thotë se për PTK-në duhet të vendosë Kuvendi. “Sa i përket ndërmarrjeve publike në përgjithësi, që janë asete të Qeverisë, mendoj që ne e kemi propozuar plotësim-ndryshimin e ligjit, ku kemi kërkuar që çdo ndërmarrje që kalon në shitje të vendoset në parlament me dy të tretat e gjithë deputetëve. Prandaj, duke u nisur nga përvojat e mëparshme qeveritare dhe mosefikasiteti i tyre, kemi menduar që kjo të mos mbetet që me një numër të vogël të votave të shiten ndërmarrjet, të shiten asetet të Kosovës”, thotë Lekaj.

Ndërkaq, Zafir Berisha, deputet nga Nisma , konsideron se PTK si kompani gjigante është dëmtuar qëllimisht. “Fatkeqësisht, ky gjigant i mirë për buxhetin e Kosovës është dëmtuar qëllimisht nga qarqet të caktuara për ta degraduar vlerën e vërtetë të Postës. Përndryshe, mendimi im personal, edhe si qytetar edhe nga përvojat e ndryshme, është që 51 për qind e Postës duhet të jetë në kontroll dhe në menaxhim të institucioneve të Kosovës, ndërsa 49 për qind të postës të shitet për shkak të ngritjes së përgjegjësisë në menaxhimin e PTK-së . Përndryshe forma e mëhershme e shitjes së Postës ka treguar se prapa gjithë këtij privatizimi kanë qëndruar firma fantome dhe të dyshimta dhe më vjen mirë që nuk është arritur të realizohet, do të thotë projekti i postës në atë mënyrë siç është tentuar herën e fundit”, thotë Berisha, raporton gazeta blic.
Ndryshe, procesi i privatizimit të PTK-së deri më tani dy herë ka dështuar.