PSV frenohet nga Groningen, fiton Ajax

E publikuar: 28/08/2016 18:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përfundon në kuotën tre, ecuria e fitoreve radhazi të PSV Eindhoven në Eredivisien holandeze. Kampionët në fuqi u frenuan në shtëpi nga Groningeni, në javën e katërt të kampionatit, me sfidën që përfundoi pa gola.

PSV nuk arriti të shfrytëzonte superioritetin numerik, pas kartonit të kuq të Bacuna-s për miqtë. Ndërkohë, në minutën e 45-të Luuk De Jong shpërdoroi një 11-metërsh.

Gabimi i pestë në nëntë tentativa nga pika e bardhë për sulmuesin, ndërsa skuadra nga Eindhoven pozicionohet në vendin e dytë, me 2 pikë më pak se Feyenoord që kryeson me pikë të plota.

Ajax rikthehet te fitoret, me suksesin 3-0 në fushën e Go Ahead Eagles, me ecurinë e sfidës që mund të kishte qenë e ndryshme, nëse De Kogel nuk do të kishte shpërdoruar 11-metërshin për vendasit.

Klaassen zhbllokoi shifrat për skuadrën nga Amsterdami në të 24-t, me mesfushorin që dyfishoi edhe 9 minuta më pas pas ekzekutimit të saktë të një penalltie.

Mesfushori Nemanja Gudelj shënoi edhe golin e tretë për Ajax në minutën e 62-të, duke vulosur suksesin që i ngjit kryeqytetasit në vendin e katërt në renditje, në kuotën e 7 pikëve.