PSG merr fitoren e dhjetë radhazi në Ligue 1, mposht thellë Amiensin

E publikuar: 20/10/2018 19:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Paris Saint-Germain ka shënuar fitore të thellë ndaj Amiensit me rezultat 5-0 në ndeshjen e vlefshme për javën e dhjetë të Ligue 1.

Parisienët kanë arritur edhe fitoren e dhjetë nga po kaq ndeshje në Ligue 1, duke arritur maksimumin e pikëve.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim të plotë të vendasve, të cilët përveç rasteve të shumta, shënuan edhe dy gola.

Goli i epërsisë 1-0 u shënua nga Marqunihos (17′), ndërsa Adrien Rabiot (42′) e dërgoi skuadrën e tij në pushim me epërsi 2-0.

Në pjesën e dytë, u zhvillua gjithashtu lojë dominuese nga PSG, të cilët shënuan edhe tri gola në këtë pjesë.

Megjithatë, u desh të presim minutën e 80-të për të parë golin e tretë të parisienëve, i cili u shënua nga Julian Draxler.

Për 4-0 shënoi Kylian Mbappe, ndërsa rezultatin përfundimtar e vulosi i riu Moussa Diaby, i cili shënoi për 5-0.

Pas kësaj fitore, PSG ka 30 pikë në vendin e parë, ndërsa Amiens renditet në vendin e 17-të me 10 pikë. Në ndeshjen e radhës, PSG udhëton te Marseille, teksa Amiens e pret Nantesin. /Telegrafi/