PSG bën një hap drejt çerekfinales, nënshtron Unitedin në Old Trafford

E publikuar: 13/02/2019 04:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Paris Saint-Germaini ka bërë një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, pas fitores prej 2-0 kundër Manchester Unitedit në Old Trafford.

Djajtë e Kuq u treguan të rrezikshëm në pjesën e parë duke krijuar raste përmes Marcus Rashford e Paul Pogba, mirëpo nuk arritën ta ndryshonin rezultatin.

Nga ana tjetër, Angel Di Maria dhe Kylian Mbappe ishin futbollistët që përpiqeshin të krijonin shanse të rrezikshme për ekipin mysafir.

Prenel Kimpebe e zhbllokoi rezultatin (Foto: Michael Regan/Getty Images/Guliver)

Në gjysmën e dytë, skuadra franceze bëri një lojë krejtësisht tjetër. Pas një shansi të Mbappe, Presnel Kimpembe e zhbllokoi rezultatin (53′) falë asistimit nga Di Maria.

Parisienët vazhduan të tregoheshin të rrezikshëm, ndërsa pas një ore lojë e shënuan edhe golin e dytë. Pas një aksioni të Di Marias nga krahu i majtë, Kylian Mbappe vrapoi në qendër dhe e ndëshkoi De Gean.

Kylian Mbappe e dyfishoi rezultatin (Foto: Michael Regan/Getty Images/Guliver)

Në vazhdim të lojës, nikoqirët nuk arritën që ta ndryshonin rezultatin duke humbur me një epërsi aspak të favorshme, kur kihet parasysh se ndeshja kthyese zhvillohet në Parc de Princes.

Për më shumë, në sfidën e Parisit, Unitedit do t’i mungojë edhe Paul Pogba, i cili u përjashtua me kartonin e dytë të verdhë në fund të ndeshjes (89′).

Nga ana tjetër, Paris Saint-Germaini është në një pozitë të mirë, meqenëse i ka shënuar dy gola në terren mysafir dhe në ndeshjen kthyese do ta ketë mundësinë që ta kërkojë kualifikimin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. /Telegrafi/