Pse u dënua Skënderbeu? FSHF tregon faktet e trukimeve

E publikuar: 14/07/2017 15:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Federata Shqiptare e Futbollit publikon vendimin e arsyetuar të Komisionit të Etikës, sa i përket çështjes “Skënderbeu” në lidhje me trukimin e ndeshjeve. Në dokumentin e përpiluar prej saj, FSHF-ja thekson se, në Komisionin e Etikës u paraqitën një sërë raportesh të “Bet Fair Detection System”, që kanë të bëjnë me sfidat e Skënderbeut.

Sipas raportit të FSHF-së, disa nga ndeshjet e dyshuara si të trukuara janë të kampionatit vendas, e ato që janë të sinjalizuara kanë përfunduar të gjitha me fitoren e skuadrës korçare.

Në raport theksohet gjithshtu se, Komisioni i Etikës ka marrë parasysh dy aspekte; së pari numrin e lartë të raporteve të gjeneruara për këtë klub, si dhe perceptimin kombëtar e ndërkombëtar në përfshirjen e klubit në fenomenin e trukimit të ndeshjeve.

Komisioni i Etikës bën të ditur gjithashtu se, gjatë procedimit që iu bë dosjes së Skënderbeut, për bazë janë marrë pikërisht raportet e UEFA-s, duke bërë që ky Komision të nisë hetimet, nga ku rezultoi se ato ishin prova të vlefshme.

Në të njëjtën kohë, Komisoni i Etikës mori në shqyrtim të gjitha planet filmike nga ndeshjet që u raportuan të trukuara, duke i konsideruar edhe ato si prova të vlefshme, dhe rezultoi se kishte dyshime të arsyeshme dhe shenja të dukshme që e tregonin një gjë të tillë.

Ishin pikërisht këto arsye, që e shtynë Komisionin e Etikës të dënojë Skënderbeun me heqjen e titullit kampion të sezonit 2015-2016, heqjen e 12 pikëve të sezonit të kaluar, si dhe një gjobë prej 2 milionë lekësh.

Ndeshjet e dyshimta janë si më poshtë:

KF Elbasani – Skënderbeu 1:4 (25.01.2015) “Kategoria Superiore”
Skënderbeu – KS Flamurtari 3:1 (18.02.2015) “Kupa e Shqipërisë”
Skënderbeu – KF Tirana 2:1 (21.09.2015) “Kategoria Superiore”
Skënderbeu – Tërbuni Pukë 4:0 (22.11.2015) “Kategoria Superiore”
Skënderbeu – Tërbuni Pukë 4:0 (22.11.2015) “Kategoria Superiore”
Skënderbeu – KF Laçi 2:1 (20.04.2016) “Kupa e Shqipërisë”

/ Top Channel