Pse s’kërkuat haptas shpërblim për shërbim ndaj atdheut?

E publikuar: 07/04/2020 02:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shkruar nga politikologu, Lirim Gashi

Shumë më pak do e kishit dëmtuar shtetin dhe pezmatuar popullin, sikur të kishit thënë :

Kemi të drejtë të jetojmë më mirë se shumica, ne që kemi qenë pjesëmarrës të luftës në çfarëdo forme qoftë.

Ose edhe më saktësisht secili prej nesh ka të drejtë t’i ketë në xhiro llogarinë e tij prej 1 deri në 3 milionë euro.

Dhe jam shumë i bindur që populli shqiptar i cili ka shumë sentiment ndaj viktimës (qoftë ajo edhe e shpifur) do ua kishte lejuar këtë privilegj, përkundër faktit se nuk ishte as vetë spektator në luftë, por përkundrazi kryeviktimë e terrorit gjenocidal multidimensional.

Kështu ju të vet-shpërblyerit nuk u mjaftuat me nga dy tre miliona euro, por plaçkitet me dhjetëra qindra miliona euro, duke e shndërruar veten tuaj në zullumqarë të përmasave botërore.

E kam thënë në disa raste dhe po e përsëris edhe tani :

Njerëzit që e kanë shpërblyer vetën e tyre me dhjetëra, qindra miliona euro për shërbim ndaj popullit dhe atdheut, do të bënin mirë sikur të na kursenin së paku nga predikti i rrejshëm moral për heroizmin e paparë në luftë dhe paqe.

Sepse në momentin që për shërbim ndaj popullit dhe atdheut e kanë paguar vetveten me nga një thes eurosh që peshon dhjetëra kilogramë, ata automatikisht janë shndërruar në legjionarë dhe mercenarë të paparë.

Prandaj nuk u takojnë atyre të gjitha privilegjet e botës në emër të meritave të rrejshme, ndërkaq popullit të gjitha vuajtjet e botës, në emër të (pa) meritave të rrejshme.

Sepse, ata nuk kanë zbritur nga Marsi, por janë pjesëtarë të këtij populli që e ka përjetuar pjesën më të tmerrshme të gjenocidit multidimensional.

Dhe populli e ka përjetuar gjenocidin më të tmerrshëm, sepse sa herë që një ushtar i UÇK-së e ka shkrepur një plumb nga maja e malit ose kodrës, ushtria dhe para ushtria serbe i ka vrarë, dhunuar dhe masakruar me dhjetëra e qindra fëmijë, gra, pleq, të rinjë dhe të reja.

Mirëpo, a janë fajtorë ushtarët e UÇK-së që komandantat e tyre shumë vullnetarë i kanë kthyer prapa për shkak të mungesës së armëve dhe pajisjeve bazike ?

Jo. Nuk janë fajtorë aspak.

Nuk janë fajtorë, sepse disa udhëheqës të UÇK-së si në luftë ashtu në paqe kanë qenë aq të uritur për plaçkë, privilegje dhe zhvatje, sa që kurrë dhe me asgjë s’kanë mundur ta ngopin fytin dhe shpirtin e tyre të pangopur.

Pra fajtorë janë definitivisht të njëjtit kriminelë dhe hajna të pangopur, si në luftë ashtu edhe në paqe.

Prandaj çdo luftëtar i thjeshtë, ndershëm, devotshëm dhe sinqertë është për mua një hero.

Dhe jo rastësisht çdo ushtar i ndershëm, devotshëm dhe sinqertë sot ia kthyer shpinën fajtorëve të vërtetë, sepse për secilin prej tyre e vërteta është e shenjtë po aq sa lufta për liri.

Sepse njerëzit e ndershëm dhe sinqertë nuk mëkatojnë lehtë.

Dhe krejt për fund, jo rastësisht të njëjtit mëkatarë të luftës u dëshmuan si mëkatarë edhe në paqe, sepse më parë i ndërrojnë rolet hëna dhe dielli, se sa karakterin njerëzit e këqijë.

Mirëpo edhe ne populli po e bëjmë një gabim të pafalshëm :

Kur po i kritikojmë komandosat po e trajtojmë UÇK-në si ushtri partiake të Pdk-së, ndërkaq kur po thirremi në vlerat e luftës me të njëjtën UÇK po mburremi si me një ushtri të shenjtë të popullit.

Kjo zhvendosje e paradigmave duhet të pushojë sa më parë që është e mundur, përndryshe rrezikojmë që të shndërrohemi në hipokritë dhe cinik të shëmtuar.

Sepse UÇK-ja nuk ishte ushtri e asnjë subjekti politik, por e mbarë popullit shqiptar.