Pse SHBA duhet ta tërheqë ambasadorin e saj

E publikuar: 07/01/2018 04:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Është hera e parë kur disa politikanë në vendin tonë kanë filluar një betejë me ambasadat perëndimore, përfshi atë amerikane. Kjo duket me qenë beteja më e rrezikshme që cenon drejtpërdrejt mirëqenien dhe sigurinë e gjithë popullit, mirëpo për habi beteja vazhdon të bëhet mes disa kaubojve tanë dhe ambasadorëve të huaj, derisa populli vazhdon të qëndrojë indiferent. Kjo shoqëri si duket ose është kapluar nga një amnezi kolektive, ose është duke jetuar me një univers paralel, ndaras me atë ku po zhvillohet kjo betejë. Dhe krejt çka kemi është se kjo heshtje kolektive sot ka sjellë një situate tejet të rrezikshme.

E para, banda e politikanëve tanë janë bërë mjeshtër të matjes së pulsit të këtij populli. Tanimë ka disa ditë që ambasadori amerikan lëshon deklarata kundër synimit të këtyre kaubojve politike që të mos e “zhbëjnë” Gjykatën Speciale, dhe krejt çka dëgjon është një heshtje kolektive nga populli dhe injorim nga bandat politike. Ambasadori amerikan ruan Kuvendin e Kosovës duke shtuar presion tek kaubojët që të mos “zhbëjnë” Gjykatën Speciale, dhe reagimi i popullit vazhdon të mbetet një heshtje kolektive dhe injorim nga kaubojët. Ambasadori amerikan anulon pushimet e fundvitit që të ndalojë kaubojët nga kati i zhbërjes së Gjykatës Speciale, populli në anën tjetër zbavitet me festa derisa kaubojët bëjnë pushime luksoze. Më shkurt, kjo betejë është përcaktuese për të ardhmen e këtij populli, mirëpo populli vazhdon të qëndrojë i heshtur sikur të jetë i droguar. Kjo shoqëri është kap nga një amnezi kolektive, dhe si pasojë I gjithë fati ka mbetur në duart e pak kaubojve, të cilët kanë fituar guximin që të shpallin “luftë” edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës vetëm që të shpëtojnë ‘lëkurën” e tyre.

Tani dua të shpjegoj dy gjëra.

Kaubojët edhe vërtet mund të dalin ’fitimtarë’ dhe ta zhbëjnë Gjykatën, të cilën e krijuan vetë. Këta e dinë mirë që ky akt  mund të kërcënojë mirëqenien dhe sigurinë e gjithë popullit, mirëpo prapë nuk ndalen, sepse e dine mirë që populli fle gjumë tash e sa kohë dhe nuk mund të ketë ndonjë kërcënim të pushtetit të tyre. Mirëpo çka ndoshta nuk dinë se kjo “fitore” do të jetë vetëm e përkohshme, por me pasoja të rënda për ta, por edhe më shumë për popullin.

Nëse dikush beson që kaubojët tanë paskan fuqi të ballafaqohen me superfuqitë botërore, unë po ju tregoj që ata po e gënjejnë veten, por edhe juve.

Fillimisht duhet kuptuar faktin që Gjykata dhe Prokuroria Speciale tanimë është funksionale. E ka administratën, gjyqtarët, prokurorin e specializuar, dhe të gjithë strukturën e nevojshme. Nëse ta zëmë këta “trimat” e zhbëjnë gjithë këtë, kjo nuk do të thotë se Gjykata Speciale me Prokurorin Special zhduken. Është naivitet nëse dikush e mendon këtë se gjithçka zhbëhet me këtë akt.

Krejt çka do të ndodh është detyrimi që miqtë tanë t’i drejtohen Këshillit të Sigurimit dhe të themelojnë një Tribunal të ri. Ky Tribunal në vete do të përfshijë staf shtesë nga Rusia, Kina, dhe shumë vende tjera që mezi presin të dëshmojnë Kosovën si “projekt të dështuar.” Pas kësaj bëhet ndërrimi i tabelës të emrit të Gjykatës dhe logos nëpër aktakuza, dhe ne fund, krejt çka ju nevojitet janë 24 orë për të aktivizuar KFOR-in për t’i kapur të akuzuarit dhe aty përfundon gjithçka.

Mirëpo çka nuk përfundon janë shumë pasoja tjera. Për shembull, ky Tribunal më nuk zhbëhet nga ne dhe aty nuk është çudi që vendet si Rusia do të zgjerojnë hetime dhe do të synojnë ta mbajnë të aktivizuar sa më gjatë me synim të vetëm për dëmtim imazhi dhe jo kërkim drejtësie. Tjetra, izolimi i këtij vendi vetëm çka do të zgjatet dhe krizat politike dhe ekonomike do të jenë edhe më të shpeshta.

Për fund, nëse populli qëndron indiferent dhe vazhdon të flejë gjumë atëherë unë nuk besoj se ambasadori amerikan, por edhe të tjerët, duhet të angazhohen të na shpëtojnë nga kjo betejë. Nëse ne nuk e shohim të arsyeshme të kundërshtojmë, atëherë duhet të pranojmë me zhbërjen e Gjykatës dhe humbjen e miqve amerikanë dhe evropianë. Nëse ne nuk i marrim seriozisht ambasadat dhe kemi kaubojë që kanë guximin t’i luftojnë ata, atëherë unë mendoj se SHBA-të duhet të dalin me një deklaratë që nëse ndodh një akt i tillë ata do të tërheqin ambasadorin e tyre. Nëse vërtet jemi aq trima dhe kemi guximin që t’i shpërfillim ata, atëherë le të ikë ambasada amerikane dhe të shohim sa do të zgjatë mbijetesa jonë.

Fundja, Amerika na ka çliruar njëherë dhe nuk na e ka me borxh ta bëjë këtë dy herë. Ambasadori amerikanë me kolegët e tij nuk e ka me obligim të luftojë për ne derisa ne vazhdojmë të kotemi gjumë, sepse një popull që qëndron indiferent para padrejtësive nuk e meriton as lirinë as drejtësinë.