Pse QKU fshehu vdekjet e dyshimta

E publikuar: 18/09/2017 18:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Të premten që lamë pas, Instituti i Mjekësisë Ligjore në Kosovë ka kryer obduksionin dy pacientëve, të cilët kanë ndërruar jetë më 7 shtator në QKUK.

Vdekjet e tyre janë cilësuar si të dyshuara nga ana e organeve të hetuesisë.

Sado që vdekjet e këtyre personave kanë qenë të dyshimta, QKUK nuk e ka kryer analizën e autopsisë, e as nuk e ka bërë lajmërimin e rastit në policinë dhe prokurorinë e shtetit.

Zyrtarët në QKU nuk kanë dashur që të përgjigjen në pyetjet e bëra nga Express rreth kësaj çështje.

Organet e hetuesisë kosovare informatën për vdekjen e tre pacientëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës e kanë marrë nga mediat. Tri ditë pas raportimit të mediave lidhur me këtë rast, prokuroria ka nisur hetime. Më datën 12 shtator, prokurori i rastit, Valdet Gashi, e ka autorizuar policinë e Kosovës nga rajoni i Prishtinës që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për hetimin e këtyre vdekjeve.

Askush nga menaxhmenti i QKUK’së nuk e ka marrë mundin që ta njoftojë prokurorinë e shtetit në lidhje me këto raste. Madje zyrtarët nga ana e QKUK’së nuk kanë dashur që të komentojnë lidhur me këtë çështje.

Gazeta Express i ka dërguar pyetje drejtorit të QKUK’së, Curr Gjocajt, si dhe zyrës për Informim, por të njëjtit nuk u janë përgjigjur pyetjeve së gazetës.

E zyrtarë nga policia e Kosovës për rajonin e Prishtinës, të cilët e kanë hetuar këtë rast, kanë thënë të hënën për Gazetën Express, se më datë 12 shtator kanë marrë autorizimin nga prokuroria e shtetit për t’i nisur hetimet. Ata thonë se asnjë zyrtarë nga ana e QKU’së, nuk e ka raportuar rastin në polici.

“Ne më datën 12 jemi njoftuar me autorizimin nga e prokurorit të shtetit për fillimin e hetimeve lidhur me rastin e vdekjes së tre pacientëve në klinikat e QKUK’së”, ka thënë të hënën për Express, Flora Ahmeti, zëdhënëse në policinë rajonale të Prishtinës.

E edhe prokurori i lëndës, Valdet Gashi, ka treguar se lajmin për vdekjen e këtyre tre pacientëve e ka marrë nga mediat. Thotë se menjëherë pas rastit ai ka kërkuar nisjen e hetimeve.

“Ne nga mediat elektronike e kemi kuptuar se në QKUK kanë ndodhur tri vdekje të dyshimta. Nuk kemi pasur ndonjë informatë zyrtarë nga ana e menaxhmentit të QKUK”, së ka thënë Gashi për Express.

E ndërkohë, të tre trupat e pacientëve të varrosur më parë janë zhvarrosur të enjten që lamë pas.

Prokuroria vazhdon hetimet

Prokuroria e shtetit njofton se është duke vazhduar hetimet lidhur me këtë rast. Këta të fundit, në një përgjigje për Gazetën Express, kanë thënë se janë në pritje të raportit të autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore për ta zbardhur rastin.

“Prokuroria, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, po i zhvillojnë hetimet për rastin konkret. Jemi në pritje të raportit të autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore për të vdekurit, vdekja e të cilëve është cilësuar si e dyshimtë. Për momentin nuk mund të japim informata tjera për shkak të vazhdimësisë së hetimeve”, ka deklaruar për Express zëdhënësi në Prokurorinë e Shtetit, Ekrem Lutfiu.

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë ka shprehur shqetësimin në lidhje me gjendjen e krijuar në QKUK pas rasteve të vdekjeve të dyshimta.

Kjo shoqatë ka kërkuar nga ministri i Shëndetësisë të pezullojë personat përgjegjës për kontraktimin e këtyre barnave dhe produkteve mjekësore deri në sqarimin e tyre dhe Prokuroria e Shtetit në një afat sa më të shpejtë t’i përfundojë hetimet lidhur me rastin.

Ndërkohë, fillimisht është dyshuar se shkaktar i vdekjes është gazi medicinal Oksidull (N20), i prodhuar pa licencë në Kosovë.Ditë më parë prokuroria e Shtetit e ka intervistuar pronarin e “Bubeari Komerc”, i cili dyshohet se e ka prodhuar këtë gaz medicinal Oksidull (N20).