Pse po ikin shqiptarët?

E publikuar: 21/04/2015 14:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjergj Meta
Këto ditë na ka shokuar të gjithë lajmi rrëqethës i mbytjes së anijes me rreth 950 veta afër brigjeve libiane. Të gjithë njerëz në kërkim të një jete më të lumtur. Kush më mirë se ne shqiptarët e di këtë gjë, e sidomos ne shqiptarët e viteve ’90, që njohëm edhe largimin nga Shqipëria për një arsye apo për një tjetër?! Ata të mbytur duhet të peshojnë në ndërgjegjen e të fuqishmëve të botës, që po bëjnë pak ose aspak për të ndalur këtë barbari kriminale. Globi po kalon probleme të mëdha dhe shqetësuese e ndoshta e ardhmja do na rezervojë përballje të tjera më të vështira. Unë personalisht, me gjithë situatën e rënduar, jam shpresëplotë se shpirti njerëzor i mbijeton të keqes dhe fiton mbi të e se do të gjenden rrugëdalje nga këto situata të palumtura, edhe pse ndërkohë fatkeqësisht ka viktima. Ndonëse nuk është një situatë krejtësisht e njëjtë, madje shumë larg atij skenari që këto ditë na kanë përcjellë mediat me pamjet e anijeve të mbytura, si në brigjet libiane, ashtu edhe në ato greke, paradoksalisht edhe Shqipëria po kalon një situatë absurde eksodi. Megjithëse dikush po përpiqet ta minimizojë ose dikush tjetër ta maksimalizojë, duke i dhënë përmasa katastrofike, nuk mund të mos konstatojmë se problemi qëndron. Një pjesë e shqiptarëve po ikin nga Shqipëria e madje për gjithë natë.

Pse shqiptarët po ikin? E çuditshmja është se po marrin familjet, të sapolindurit, gratë shtatzëna, e po nisen drejt një shteti që dikush i ka thënë se jep azil e nëpërmjet këtij azili mund të rregullojnë jetën e tyre.

Përgjigjja pse po ikin shqiptarët, është shumë e thjeshtë: shqiptarët janë të varfër. Nuk arrijnë të kenë në pjesën më të madhe as kushtet minimale, por më e rëndësishme është mungesa e një perspektive për të ardhmen, pra mungesa e shpresës. Në kontaktin e përditshëm me njerëz vërehet se ka shumë varfëri, papunësi e, ç’është më e keqja, motivim për të ecur përpara. Vetëm në kohën e Krishtlindjes dhe Pashkës, me të rinjtë e famullisë në Durrës kemi shpërndarë në një zonë të vogël më shumë se 80 pako ushqimore për rreth 80 familje. Në vitin 2015, mungesa e ushqimit për fëmijët nuk është e pranueshme. Por kjo është vetëm baza. Le të imagjinojmë një familje, e cila ka nevojë edhe për një kilogram sheqer, një kilogram vaj, pak makarona. Nëse nuk mundet t’ia plotësojë vetes as këto nevoja, si ia bën për të paguar drita, ujë, të blejë rroba, të ketë një televizor të mirë, të ketë mundësinë të blejë pajisje për shtëpinë, të çojë fëmijët në shkollë e t’u blejë libra etj. etj. Sigurisht që një familje e tillë me prindër të përgjegjshëm do të kërkojë një zgjidhje. Nëse nuk i gjen këtu, do t’i kërkojë gjetiu. Mbaj mend që nëpër fushata elektorale shumë politikanë shkojnë nëpër pika shitjesh dhe marrin si argument elektoral ekzistencën e listave të personave që nuk kanë paguar. Kështu, fajësojnë ata që në atë moment janë në qeveri e bëjnë show mediatikë duke treguar fletoret me shënimet e shitësve e ndonjëri prej tyre, dy ditë para zgjedhjeve shkon e i paguan ato lista, për të marrë pak vota. Le të shkojnë zotërinjtë ose edhe zonjat e të shohin tani listat e shitësve se si janë mbushur përsëri. Por të marrim edhe të rinjtë. A e kanë parë ndonjëherë zotërinjtë e politikës një call center? Aty ka profesionistë, studentë të shkollës së mesme e universitarë, prindërit e të cilëve nuk arrijnë t’u sigurojnë pagesat. Një djalë apo një vajzë që ka mbaruar një shkollë të lartë dhe bëhet një anonim pas një telefoni për 200 lekë/ora për të lidhur një kontratë, pasi ndoshta ka provuar me qindra herë e nganjëherë duke marrë edhe të shara, nuk ka se si të ketë shpresë për të ardhmen. Më kujtohet para disa vitesh një djalë e një vajzë që kishin ardhur të sapodiplomuar nga Italia në “La Sapienza”, ishin fejuar dhe donin të kontribuonin në Shqipëri. Një ministër i asaj kohe, pasi i dëgjon, u thotë: “Pse nuk provoni njëherë në një call center?” Pse po ikin shqiptarët? Ata ikin se janë të varfër, por varfëria akoma më e madhe është se dikush spekulon mbi këtë varfëri. Së pari ata që duke shpërndarë lajme të rreme u marrin paratë për t’i transportuar drejt Gjermanisë. Së dyti, janë ata që këto mjerime i përdorin politikisht dhe vetë nuk kanë jetuar një ditë në mjerim. Së treti, janë ata që nuk bëjnë përpjekje për të rritur mirëqenien në këtë vend dhe që e kanë për detyrë e zotërojnë instrumentet e nevojshme. Një ditë kalova nga Lundra. Kisha vite pa kaluar aty dhe pashë diçka që më la të shastisur. Rezidenca superluksoze të pafunda. E jam i sigurt që po aty në Lundër apo përreth ka ende familje që diskutojnë bukën e gojës. Kjo është një pabarazi sociale, kjo është e ngjashme me favelat e Brazilit ndaj luksit të qiellgërvishtësve. Ashtu sikurse është rroga e një deputeti përballë asaj të një sanitareje që ka katër fëmijë, një burrë të sëmurë e një pagë minimale prej 22000 lekësh. Është njësoj kur sheh politikanë që krekosen nëpër show mediatikë me shtëpitë dhe shijet e tyre për pushime, apo se çfarë gjelle u pëlqen, apo se në sa shtete kalojnë pushimet, përballë pjesës më të madhe të shqiptarëve që po kacafyten për bukën e gojës. Kur sheh gjithë ato rezidenca, mendon ata që i kanë ndërtuar, taksat që kanë paguar për zhvillimin e zonës, por edhe luksin që ato vila kanë e më pas mendon edhe fshatarin e Lundrës, që aty kalon çdo ditë. E si atëherë të mos ikë ai fshatar në një vend tjetër? Shqiptarët ikin, sepse ata nuk shohin perspektivë. Janë ende të zhgënjyer. Ndaj mendoj se bëhet urgjente një aleancë e gjerë, jo një aleancë pazaresh si ato të zgjedhjeve alla-shqiptarçe, por një aleancë ndërmjet politikës (pozitë-opozitë), shoqërisë civile (OJQ, organizma fetarë, njerëz me mendim të lirë etj.), partnerëve tanë që në çdo rast na janë gjendur pranë e të çojmë këtë vend përpara. Duhet një aleancë historike. Duhet një si lloj armëpushimi, ku në qendër të mos jetë pushteti dhe pasurimi i grupeve të caktuara apo individëve të caktuar, por e mira e këtij vendi dhe e njerëzve që banojnë në të. Ky eksod i shqiptarëve duhet të na interpelojë, është një kambanë alarmi që, po nuk e dëgjuam, do të plasë në duart e të gjithë neve e pastaj do të jetë e vështirë t’i lajmë duart. Unë them që të gjithë bashkë mund ta bëjmë dhe duhet ta bëjmë. Ndryshe, historia do të na gjykojë pa mëshirë.