Pse në Kosovë nuk mbillet luledielli (Video)

E publikuar: 26/09/2018 22:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Fejzulla Mustafa, tash e një vit, merret me prodhimin e vajit për ushqim, raporton KTV.

Por prej se ka dalë në treg, ai është dashur ta importojë lëndën e parë, vajin gjysmë të përpunuar.

Afër 1 milion litra vaj të parafinuar i blen vetëm brenda një muaji nga Bullgaria dhe Serbia.

Kjo meqë në vend nuk po gjen bujq, të cilët mbjellin luledielli.

Çmimi i vajit gjysmë të përpunuar në berzën ndërkombëtare lëviz nga 600 deri 700 euro për ton.

Për këtë, Mustafa tregon se importi i lëndës së parë ka ndikuar edhe në çmimin final të produktit.

Në Ministrinë e Bujqësisë tregojnë se ka rënie të interesimit të fermerëve për mbjellje të lulediellit.Këtë vit kanë aplikuar për subvencionim vetëm 5 fermerë për mbjelljen e gjithsej 8 hektarëve me luledielli.

Por të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se ka rritje të përdorimit të lulediellit në vend. Sasia e importit ka shënuar rritje gjatë vitit 2016 e veçanërisht vitin e kaluar, me 1.7 milion kg. Ndërsa, këtë vit, në muajt janar – shtator janë importuar 1.3 milion kg fara luledielli.