Pse ndryshoi numri i të vrarëve në Kumanovë?

E publikuar: 22/05/2015 12:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përleshja e armatosur në Kumanovë la 18 të vrarë, 8 policë dhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur. Fillimisht, autoritetet maqedonase kishin thënë se numri i viktimave është 22, 14 nga të cilët ishin pjesëtarë të vrarë të grupit të armatosur.

Prokuroria Publike e Maqedonisë, për Radion Evropa e Lirë thotë se në vendin e ngjarjes janë gjetur 10 trupa të vrarë, 9 shtetas të Kosovës dhe një shtetas i Maqedonisë, por ajo nuk e ka komentuar faktin pse është ndryshuar numri i të vrarëve nga radhët e grupit të armatosur, nga 14 në 10.

Nga ana tjetër, Ivo Kotevski nga Ministra e Punëve të Brendshme e Maqedonisë thotë se infomacioni se kanë mbetur të vrarë 14 pjesëtarë të grupit të armatosur është bazuat në të dhënat e para jozyrtare, të mbledhura nga terreni, nga pjesëtarët e forcave maqedonase të sigurisë.

“Informacionet të cilat i plasuam si Ministri e Punëve të Brendshme ishin informacione të cilat ne i morrëm nga terreni, përderisa aksioni ishte ende në rrjedhë, kështu që është e kuptueshme se ndonjë pjesëtar i policisë i ka emëruar dy here trupat e pajetë. Ato [trupat] nuk kanë qenë në një hapësirë të vetme, por kanë qenë në më shumë lokalitete, andaj edhe thamë se këto janë informacionet e para jozyrtare nga terreni”, thotë zoti Kotevski.

Numri prej 22 viktimash gjithsejt, ishte komunikuar më 10 maj nga ana e MPB-së maqedonase, për t’u ndryshuar me datën 18 maj nga ana e prokurorisë, në numrin e përgjithshëm prej 18 viktimash.

Njohësit e sistemit të sigurisë thonë se gabimi është bërë për qëllime populliste dhe jo mungesë informacioni.

“Nuk bëhet fjalë për gabim, por për atë se politikanë të caktuar dëshiruan që në frymën populliste të tregojnë se forcat policore maqedonase kanë kryer një operacion të suksesshëm, me atë që kanë asgjësuar një numër shumë më të madh të terroristëve, kundrejt humbjeve në njërëz që kanë pësuar forcat e njësitit special të policisë maqedonase”.

“Pra, thjesht ishte popullizëm nga ana e autoriteteve maqedonase, ajo më pas krijoi shumë huti, si në opinion ashtu edhe gjatë komunikimit me autoritetet e Republikës së Kosovës”, thekson Vlladimir Pivovarov, ish zyrtar i lartë i shërbimeve të zbulimit në Maqedoni., raporton rel

Pivovarov thotë se procedura e stërzgjatur e verifikimit dhe plasimit të informacioneve në opinion reth më shumë çështjeve që lidhen me rastin e Kumanovës, paraqet një sinjal të qartë se bashkëpunimi i ministrive të brendshme në Maqedoni dhe Kosovë nuk është në nivel të kënaqshëm, me gjithë prononcimet e udhëheqësve të tyre se kanë një bashkëpunim dhe komunikim të ngushtë.