Pse IPKO po shqyrton largimin nga Kosova?

E publikuar: 21/12/2017 11:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

IPKO njëra ndër kompanitë më të mëdha të telekomunikacionit në Kosovë po e shqyrton mundësinë e largimit nga Kosova. Drejtori i kësaj kompanie Robert Erzin, ditë më parë i kishte dërguar një letër kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj, ku i kishte treguar disa prej arsyeve për largimin Ipko-s nga Kosova.

“Unë po ju shkruaj në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të IPKO-s, me qëllim që t’ju informojë si kryeministër i sapozgjedhur për keq menaxhimin e mjedisit të komunikimeve elektronike në Kosovë nga institucionet tuaja, në veçanti për keq menaxhim nga Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare (ARKEP)”, thuhet në letrën e Erzin, që mbanë datën 11 tetor 2017 të cilën e pat siguruar Insajderi.

Duke folur për Insajderin, ka folur mbi problemet dhe sfidat e shumta mbi të cilat po has IPKO në Kosovë, sipas tij, për shkak të mjedisit të pa përshtatshëm biznesor.

Erzin ka thënë se edhe pse Ipko është investitori më i madh i huaj në Kosovë, dhe se kjo kompani e telekomunikacionit në Kosovë po përballet me shumë sfida për shkak të pengesave të shumta, të vëna nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) si dhe aplikimi i gabuar i Ligjit për Prokurimin Publik në Kosovë.

“IPKO është investitori më i madh i huaj në Kosovë, duke ndikuar kështu në rritjen e përgjithshme ekonomike të vendit. Megjithëkëtë, IPKO vazhdon të përballet me sfida të shumta për shkak të mjedisit të papërshtatshëm biznesor. Kjo për shkak të pengesave të shumta, të vëna nga ARKEP-i si dhe aplikimi i gabuar i Ligjit për Prokurimin Publik në Kosovë (KRPP) dhe Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP)”, ka thënë Erzin për Insajderin.

Erzin tha se janë dy arsye kryesore: Pagesa vjetore e rregullatorit në Kosovë është shumë e lartë dhe pagesat për blerjen e frekuencave.

Të dyja këto sipas Erzin janë shumë të larta.

Problemi i parë i cili po e nxitë Ipko-n të shqyrtojë mundësinë e largimit sipas Erzin është se Ipko-ja paguan për frekuencat 1,5 milionë, përderisa Telekomi i Sllovenisë paguan gjysmë milioni euro më pak për trefish më shumë frekuenca.

Sipas tij draftin të cilin e ka publikuar ARKEP çmimet janë zbritur në mënyrë sipërfaqësore sepse në rajon dhe Slloveni çmimet janë 6 deri ne 11 herë më të ulta se ato që ARKEP ka publikuar në draft Rregulloren.

“Pagesa vjetore e rregullatorit në Kosovë është shumë më e lartë për segmentin e mbikëqyrjes së frekuencave. IPKO-ja paguan për frekuencat 2x30MHz (60MHz), 1,5 milionë Euro, përderisa Telekomi i Sllovenisë paguan gjysmë milioni më pak për trefish më shumë frekuenca, 2×105 MHz (210MHz). ARKEP tash ka hapur për konsultime pagesat vjetore të mbikëqyrjes së frekuencave. Nga drafti i publikuar vërehet se çmimet janë zbritur vetëm në mënyrë sipërfaqësore, derisa në rajon dhe Slloveni çmimet janë 6 deri ne 11 herë më të ulta se ato që ARKEP ka publikuar në draft Rregulloren”, ka thënë Erzin për Insajderin.

Ai gjithashtu tha se Pagesat për blerjen frekuencave me rastin e alokimit të tyre, janë po ashtu shumë të larta dhe bëri të ditur se çmimi për 2x15MHz i brezit 1800MHz për 15 vjet në Kosovë është 20 milionë euro, përderisa në Maqedoni operatoret paguajnë vetëm nga 10.3 për 2x10Mhz në 800Mhz dhe 2×15 në brezin 1800Mhz, për një vlefshmëri prej 20 vjetësh.

“Pagesat për blerjen frekuencave me rastin e alokimit të tyre, janë po ashtu shumë të larta. Çmimi për 2x15MHz i brezit 1800MHz për 15 vjet në Kosovë është 20 milionë euro, përderisa në vitin 2014 në Maqedoni, të tre operatorët së bashku kanë paguar gjithsej 30.9 milionë euro, gjegjësisht secili operator ka paguar nga 10.3 milionë euro për 2x10Mhz në 800Mhz dhe 2×15 në brezin 1800Mhz, për një vlefshmëri prej 20 vjetësh”, është shprehur ai.

Erzin tha se Ipko është duke u përballur me pengesa serioze nga dy trupa rregullativ: Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik dhe Organi shqyrtues i Prokurimit dhe si pasojë e kësaj të gjitha autoritetet publike të nënshkruajnë marrëveshje për shërbime telekomunikuese vetëm me Telekomin e Kosovës.

“Ndërsa sa i përket aplikimit të gabuar të Ligjit për Prokurimin publik në Kosovë nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) dhe Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), IPKO është duke u përballur me pengesa shumë serioze nga këta dy trupa rregullativ, duke rezultuar që të gjitha autoritetet publike të nënshkruajnë marrëveshje për shërbime telekomunikuese vetëm me Telekomin e Kosovës. Kjo po bëhet me interpretimin se Telekomi i Kosovës është institucion publik dhe jo kompani publike, siç në fakt është. Bazuar në këtë përkufizim, dhe aplikim të gabuar të nenit 9.4 të Ligjit të Prokurimit, KRPP është duke anuluar të gjitha tenderët që hapen nga komunat, kompanitë publike, ministritë, të cilat fitohen nga IPKO, duke i urdhëruar të njëjtat që të lidhin direkt marrëveshje me Telekomin e Kosovës, pa i përfillur obligimet që dalin nga Ligji i Prokurimit në Kosovë”, ka thënë ai.

Erzin tha se IPKO ka investuar në infrastrukturën mobile e fikse deri në 300 milion, kjo sipas tij ka efekt në investimet  në infrastrukturën mobile të Kosovës.

Ai tha se njerëzit e kësaj kompanie e kanë përsëritur tek të gjitha instancat mbi kushtet rregullative në Kosovë, të cilat aspak nuk janë të përshtatshme për operatorët mobil.

IPKO-ja deri më tani ka investuar në infrastrukturë më shumë se 300 milionë euro në tërë infrastrukturën mobile e fikse dhe do të vazhdojë të investojë. Por më duhet ta ritheksoj se nëse kushtet nuk ndryshohen në mënyrë drastike, atëherë kjo do të ketë efekt në investimet në infrastrukturën mobile në Kosovë, pasi ne si operatorë do na duhet të optimizojmë investimet tona ndryshe. Për tre (3) vjet radhazi, IPKO-ja e ka përsëritur tek të gjitha instancat se kushtet rregullative në Kosovë, nuk janë të përshtatshme për operatorët mobil. IPKO-ja vazhdimisht i ka adresuar këto çështje tek të gjitha organet shtetërore dhe autoritetet përkatëse, pa e përjashtuar asnjërën prej tyre, ka përfunduar ai. / Insajderi.com