Pse Haradinaj s’e ka lexuar letrën e Kurtit?

E publikuar: 19/08/2017 20:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ramush Haradinaj ka deklaruar se nuk e ka lexuar letrën e hapur të Albin Kurtit. I nominuari për kryeministër i koalicionit PAN, Haradinaj, gjatë prezantimit të 6 kandidatëve për kryetarë komunash, ka folur edhe për themelimin e institucioneve, ndërsa ka theksuar se kanë pasur mundësinë t’i themelojnë institucionet me 61 vota, por pas asaj që e ka quajtur situatë e re me AKR-në, Haradinaj tha se i kanë dhënë kohë, për një qeveri me përfshirje më të gjerë, raporton KTV.

Koalicioni PAN pretendon se i kishte të siguruara 61 vota, por krijimin e institucioneve me një shumicë të tillë, e ka shtyrë pozicionimi i ri i Aleancës Kosova e Re.

Një gjë e tillë, sipas të nominuarit për kryeministër nga ky koalicion, Ramush Haradinaj, thotë se e kanë bërë për një qeveri me përfshirje më të gjerë.

Haradinaj është pyetur për letrën e hapur të të nominuarit të Vetëvendosjes për kryeministër, deputetit Albin Kurti.

Megjithatë, kryetarit të AAK-së duket mos t’i ketë bërë përshtypje ideja e Kurtit, që si zgjidhje për bllokadën, planifikoi që bashkë me grupe të tjera parlamentare të propozojnë një kandidat për kryetar Kuvendi.

Deklaratat, Haradinaj i ka bërë me rastin e prezantimit të 6 kandidatëve për kryetarë komunash nga kjo parti.

Ish-kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, do të futet sërish në garë për këtë komunë, në Suharekë i kandiduar i kësaj partie është ish-deputeti Bali Muharremi, ndërsa në Deçan, pasi është zgjedhur në postin e deputetit Rasim Selmanaj, në garë është futur Bashkim Ramosaj.

Për komunën e Klinës, kandidat i Aleancës është Zenun Elezi, ndërsa edhe nga një mandat tjetër synojnë Xhafer Gashi në Obiliq e Agron Kuqi në Junik.

Ka qenë kërkesë e qytetarëve ka thënë Kuqi, e Gashi shtoi se llogarit në mbështetjen e Haradinajt si kryeministër për implementimin e ligjit për komunën tij.

AAK-ja, nga ajo që ka thënë Haradinaj, do të ketë në garë edhe një kandidate për komunën e Drenasit, e emri i së cilës pritet të zyrtarizohet të hënën, kur edhe përfundon procesi i kandidaturave për zgjedhjet lokale.