Pse duhet të shkoni në një intervistë pune edhe nëse nuk dëshironi?

E publikuar: 18/08/2020 22:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kur jeni duke kërkuar punë, është shumë normale të mbushni aplikacione dhe të dërgoni CV-në për më shumë se një pozitë pune. Në disa prej tyre, mund edhe të mos keni shumë pritshmëri. Mirëpo, çka ndodhë nëse në njërën nga intervistat ku jeni ftuar, nuk keni interes dhe dëshirë të shkoni?

Ju mund të mendoni që do ta humbni kohën tuaj dhe të njerëzve të tjerë duke diskutuar një rol që nuk ju intereson. Por në realitet, ka shumë arsye pse duhet të merrni pjesë në një intervistë pune, edhe nëse nuk keni ndërmend të merrni punën. Njëra ndër to është se asnjëherë nuk e dini se çka ka prapa.

Ne ju sjellim disa arsye se pse rekomandohet të merrni pjesë në të gjitha intervistat e punës, pavarësisht dëshirës.

Përvoja ju ndihmon

Ndonëse intervistat e punës janë shpeshherë shumë stresuese, ato janë eksperiencë në vete dhe mund t’ju ndihmojnë të fitoni më shumë besim. Edhe nëse jeni ftuar për t’u intervistuar për një rol të cilin nuk e keni interes më, duke u takuar me panele të ndryshme rekrutimi, ju fitoni përvojë, përvetësoni më shumë aftësi dhe të gjitha këto mund t’i përdorni në të ardhmen. Kjo ua mundëson të tregoheni të suksesshëm në intervista të tjera, si dhe të merrni vendin e punës të cilin e doni.

Zgjerimi i rrjetit mund t’ju ndihmojë në karrierën tuaj

Një tjetër arsye se pse duhet të merrni pjesë në intervista të ndryshme të punës, është sepse ju shndërroheni në një kandidat të fortë për t’u intervistuar. Ju nuk do ta keni problem të flisni me njerëz të rinj, të krijoni kontakte dhe të zgjeroni rrethin tuaj. E gjithë kjo, mund t’ju ndihmojë shumë në karrierën tuaj në të ardhmen. Secila intervistë në të cilën merrni pjesë, ju jep mundësinë të takoni persona të rinj dhe të krijoni lidhje të reja. Një gjë e tillë, mund t’ju sjellë edhe mundësi të reja të karrierës.

Ndoshta mund t’ju pëlqejë puna

Mund të ndodhë që pozita e punës apo përshkrimi i punës nuk ju janë dukur sikur ndeshen me kualifikimet e juaja por ju gjithsesi keni aplikuar sepse keni qenë vazhdimisht në kërkim të një pune. Mirëpo, është pikërisht pozita e punës që nuk e dëshironi për të cilën ju kanë ftuar në intervistë. Pasi të merrni pjesë në intervistë, mund ta kuptoni se është pikërisht ai vendi ideal i punës për ju dhe puna është më tërheqëse se sa e mendonit. Jo më kot thuhet që libri nuk duhet të gjykohet nga kopertina, prandaj merrni pjesë në secilën intervistë që ju ftojnë. Puna që në fillim mund t’ju duket e mërzitshme, mund të jetë në fakt puna që do ta konsideroni seriozisht.

Kompania e njëjtë mund t’ju ofrojë rol tjetër në të ardhmen

E ardhmja mund të sjellë plot mundësi të reja. Një punë më e mirë mund të ofrohet nga e njëjta kompani në të ardhmen. Nëse shkoni në intervistë për punë por jeni të bindur që nuk e dëshironi atë vend pune, ka shumë gjasa që do të largoheni nga intervista duke u ndjerë në të njëjtën mënyrë. Mirëpo, nëse arrini të lini një përshtypje të mirë tek njerëzit me të cilët bisedoni në atë kompani, do të rrisni gjasat që të njëjtit t’ju kontaktojnë herën tjetër kur të hapet një mundësi më e mirë. /AkademiPune/