PSD: Të rritet numri i Inspektorëve të punës

E publikuar: 07/06/2019 14:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Partia Socialdemokrate në një konferencë për media ka bërë thirje që të rritet numri i Inspektorëve të Punës.

Kjo parti ka thënë se Inspektoriati i Punës është një nga mekanizmat kryesorë për garantimin e të drejtave të punëtorëve.

“Në Kosovë mbetet një nga hallkat me të dobëta të zhvillimit institucional dhe ligjor pasojat e të cilës po i vuajnë punëtorët. Duke qenë kështu, përveç që duhet të rritet numri i inspektorëve, duhet të bëhen edhe trajnime për inspektorët aktualë ne zbatimin e dispozitave ligjore lidhur me shëndetin dhe parandalimin e rrezikut në vendin e punës. Shtimi i numrit të inspektorëve së bashku me reformën dhe ngritjen e resurseve profesionale, është domosdoshmëri e kohës”.

Deputetja e kësaj partie, Besa Baftiu ka përmendur Raportin e fundit të Komisionit Evropian për Kosovën,  ku veçoi rritjen e numrit të aksidenteve me fatalitet në vendin e punës.

Nga 14 vdekje me fatalitet në vendin e punës në vitin 2017, është rritur në 21 përgjatë vitit 2018.

Ajo foli edhe mbi të gjeturat në raportin e punës 12 mujore të Inspektoriatit të Punës për vitin 2018.

““Aty figuron se brenda gjithë kësaj periudhe, domethënë, për një vit janë bërë vetëm 9056 inspektime, nga të cilat janë shqiptuar vetëm 270 gjoba në total. Kjo, derisa momentalisht në Kosovë numërojmë 165.268 biznese aktive, nga të cilat 9963 biznese janë krijuar vetëm brenda 2018-së”.

Baftiu ka thënë se nëse gjitha inspektimet e bëra gjatë vitit 2018 janë bërë në biznese të ndryshme, i bie që mbi 94% të bizneseve nuk janë inspektuar asnjëherë.

Poashtu, në konferencë u theksua edhe përqindja e lartë e fëmijëve në marrëdhënie të punës, derisa inspektorët nuk e kanë raportuar asnjë rast të tillë përgjatë vitit 2018, duke u potencuar se informaliteti në punë është sfidë e madhe e Inspektoriatit të Punës, por në një rast të këtillë, kur viktimë e tij janë të miturit, tejkalimi i kësaj situate bëhet shumë më urgjent. /GazetaExpress/