PSD-ja pro rrëzimit të Qeverisë, por jo me Listën Serbe

E publikuar: 05/02/2019 11:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Partitë opozitare po kërkojnë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, por nuk dëshirojnë këtë qëllim ta arrijnë me votat e deputetëve të Listës Serbe. Së paku këto vota për ta rrëzuar Qeverinë po i refuzon Lëvizja Vetëvendosje, derisa Ismet Beqiri nga LDK-ja ditë më parë ka deklaruar se në rast të ngritjes së një mocioni votëbesimi partia e tij do të pranonte që edhe me votat e Listës Serbe të rrëzohej ajo, shkruan “Zëri”. 

Deputetja e Partisë Socialdemokrate Besa Baftiu është shprehur për “Zërin” se do të votonte për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj” për shkak të keqqeverisjes, por asnjëherë nuk do të votonte pro rrëzimit të Qeverisë me votat e Listës Serbe e sidomos tash për shkak të taksës.

“Për keqqeverisjen që është bërë nga qeveria ‘Haradinaj’ ne jemi deklaruar të parët. Jemi ata që i kemi dhënë 12 nënshkrime për mocionin e mosbesimit. Mirëpo nuk do ta jap votën time nëse qeveria ‘Haradinaj’ do të rrëzohej me votat e Listës Serbe e sidomos për taksën 100% që është vënë ndaj Serbisë. Besoj se as subjekti im nuk do të lejojë që qeveria Haradinaj të rrëzohej për arsye të taksës me vota të LS-së”, ka thënë Baftiu.

Edhe deputetja tjetër e kësaj partie Shqipe Pantina ka thënë se në rast të ngritjes së ndonjë mocioni mosbesimi kundër qeverisë “Haradinaj” partia e saj do të votonte pro.

“PSD-ja tashmë i ka dhënë nënshkrimet e veta, tash qëndrojmë prapa kësaj. Ne e mbështesim atë mocion, por ne kemi zgjedhur një mundësi tjetër. Në vend se të ankohemi ne duhet të ndikojmë sa më shumë të jetë e mundur që vendimet, të cilat i konsiderojmë të dëmshme t’i ndalojmë”, ka thënë Pantina.