Prova të reja për vrasjen e Ivanoviqit, shumë dëshmitarë të intervistuar

E publikuar: 18/05/2019 22:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ngjarja e 16 janarit të vitit të kaluar po vazhdon të sfidojë organet e drejtësisë në Kosovë.

Saktësisht në mëngjesin e 16 janarit të 2018-ës, para zyrave të partisë SDP-së në Mitrovicën e veriut, ishte qëlluar për vdekje ish-kryetari i saj Oliver Ivanoviq.

Rasti ‘Ivanoviq’ ishte bërë ‘mollë sherri’ e arsye përplasjeje mes organeve të drejtësisë të Kosovës dhe atyre të Serbisë, me akuza e kundër-akuza sa i përket bashkëpunimit reciprok për zbardhjen e rastit.

Shpresa për zbardhjen e rastit u ngjall kur Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi për arrestimin e tre personave që dyshohet se ndërlidhen me vrasjen.

Të njëjtit u arrestuan në nëntor të vitit të kaluar, mirëpo në pranga nuk përfundoi edhe i dyshuari tjetër, Milan Radojiçiq.

Ani pse kanë kaluar gati gjashtë muaj nga aksioni i arrestimit të tyre, Prokuroria Speciale nuk ka ngritur ndonjë aktakuzë.

Në lidhje me këtë çështje, zëdhënësi i Prokurorisë Speciale, Ekrem Lutfiu ka thënë për lajmi.net se ata janë ende në fazën e hetimeve.

Ai thotë se janë intervistuar një numër i konsiderueshëm i dëshmitarëve.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ende është në fazën e hetimeve të këtij rasti, jemi në grumbullimin e të dhënave/ provave, si dhe, janë intervistuar një numër i konsiderueshëm i dëshmitarëve lidhur me këtë çështje”, ka thënë Lutfiu.

Teksa ka shtuar se së fundmi, Prokuroria Speciale ka zgjeruar hetimet edhe për dy persona të tjerë.

“Prokuroria Speciale së fundmi ka zgjeruar hetimet në lidhje me rastin edhe për dy persona të tjerë, jemi në fazën fillestare si dhe dyshimet ndërlidhen me veprën penale të krimit të organizuar”, ka thënë në fund Lutfiu.

E drejtësisë duke se do t’i shpëtojë i konsideruari si ‘koka’ e mafisë në Mitrovicën e Veriut, Milan Radojiçiq.

I njëjti, në mungesë nuk mund të gjykohet, ose Prokuroria të ngris aktakuzë ndaj tij.

Avokati Tomë Gashi ka bërë të ditur se Prokuroria Speciale në këtë rast nuk mundur të ngrisë aktakuzë ndaj të pandehurit i cili është në arrati.

Ai thotë se procedura penale në këtë rast pezullohet deri sa i njëjti të sillet para organeve të rendit.

“Prokuroria në këtë rast nuk mund të ngris aktakuzë ndaj tij nëse ai është në arrati. Në këtë rast, procedura penale ndaj tij nuk pushon, por pezullohet përkohësisht deri sa ai të gjendet dhe të sillet para organeve të rendit”, ka sqaruar avokati.

E pikërisht për Radojiçiqin, Prokuroria kishte lëshuar fletë-arrest, për sjelljen e tij para organeve të drejtësisë.

Mirëpo deri më tash, nënkryetari i Listës Serbe që konsiderohet si shumë i afërt me kryeministrin Haradinaj nuk është sjellë para Gjykatës.