Protestuesit në Francë, me presion e detyrojnë Macron’in t’i ndal reformat e pensioneve

E publikuar: 13/01/2020 12:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Franca përkohësisht do të heqë dorë nga zbatimi i moshës 64 vjeç për marrjen e pensionit të plotë në kuadër të reformës së pensioneve, e cila ka shkaktuar protesta masive dhe greva në vend.

Në një letër drejtuar përfaqësuesve të sindikatave, kryeministri Edouard Philippe ka theksuar se në Francë do të zbatohet një rend i vetëm i sistemit të pensionimit dhe se do të hiqen prioritetet sipas sektorëve dhe 42 llojet e pensionimit.

Ai ka thënë se zbatimi i moshës 64 vjeç për marrjen e pensionit nuk do të jetë në fuqi përkohësisht, duke shtuar se në vend të kësaj, në një konferencë që do të organizohet do të diskutohet financimi në kuadër të reformës.

Philippe ka njoftuar se vendimet e kësaj konference do të shpalosen në muajin prill dhe se në rast të një marrëveshjeje me sindikatat para këtij muaji, pikat e saj do të shtohen në reformën kontroverse.

Nga ana tjetër, Konfederata e Përgjithshme e Punës e ka konsideruar si të pamjaftueshme këtë deklaratë dhe ka kërkuar heqjen e plotë të reformës, duke bërë thirrje për protesta në tërë vendin më 16 janar.

Ndryshe, Philippe më herët kishte njoftuar se mosha e pensionimit do të ngelet 62 vjeç, por paga e plotë do të mund të merret nga mosha 64 vjeç, ndërkohë që sistemi i ri nuk do të përfshinte personat e lindur para vitit 1975.

Reforma e pensioneve do të paraqitet në Këshillin e Ministrave më 24 janar dhe në Asamblenë Kombëtare më 17 shkurt.