Protestë në kryeqytet për Haradinajn

E publikuar: 21/01/2017 11:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në mbështetje të liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, të shtunën (sot) do të mbahet protestë në Prishtinë, duke filluar nga 13:00.

Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kanë apeluar tek qytetarët dhe te të gjitha subjektet politike në vend që t’i bashkohen protestës. Ata kanë përcjellë mesazhin se kjo protestë organizohet edhe për mbrojtjen e vlerave të luftës. Organizatorët kanë njoftuar në një konferencë për medie se nisja nga të gjitha komunat do të bëhet në orën 11:00 nga stacionet e autobusëve të secilës komunë.

Kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së, Fadil Shurdhaj, ka bërë të ditur se protesta do të mbahet duke filluar nga ora 13:00 në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë.

“Nisja do të bëhet nga stacioni i autobusëve nga të gjitha komunat në orën 11:00”, ka thënë Shurdhaj.

Ai ka njoftuar qytetarët e interesuar për të marrë pjesë në protestë se transporti do të jetë i siguruar.

“Për të gjithë ata që duan të jenë pjesë e kësaj proteste transporti është i siguruar. Protesta do të mbahet në sheshin ‘”Zahir Pajaziti” dhe do të fillojë në orën 13:00. Nisja prej të gjitha komunave bëhet në orën 11:00, prej të gjitha stacioneve të autobusëve nëpër komuna të Kosovës. Edhe parkingu për autobusë është siguruar pas Pallatit të Rinisë”.

Shurdhaj ka thënë se protesta do të jetë e qetë dhe dinjitoze. Ai tha se sot (e shtunë) presin që t’iu bashkëngjiten të gjithë luftëtarët, bashkëluftëtarët, si dhe të gjithë partitë politike. “Presim të na bashkëngjiten të gjithë organizatat, shoqatat dhe gjithë populli i Kosovës”, ka thënë ai./Gazeta Fjala/