Propozohen ndryshime të shumta të Ligjit për Automjete

E publikuar: 19/07/2018 10:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Heqja e kufizimit për importin e veturave më të vjetra se dhjetë vjet ka ngjallur diskutime të shumta në dëgjimin publik të mbajtur në Komisionin për Zhvillim Ekonomik, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, shkruan sot Gazeta “Zëri”

Komisioni Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal të mërkurën ka organizuar dëgjim publik lidhur me ndryshim-plotësimin e Ligjit për Automjete. Kërkesa të shumta për ndryshime të disa neneve të Ligjit ka pasur nga përfaqësues të institucioneve kompetente.

Drejtoresha e Departamentit për Regjistrimin e Automjeteve në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), Sebahate Muharremi, ka kërkuar heqjen e ndërrimit të pronësisë së mjetit me çlajmërim.

“Kemi propozuar qe të hiqet fjalia ‘çlajmërim i mjetit’. Ndërrimi i pronësisë së mjetit me çlajmërim. Në këtë rast krijohen edhe shpenzime, duhet të ndërrojë kontrolli teknik, sigurimi. Propozojmë që të largohet çlajmërimi, të mbetet vetëm ndërrimi i pronarit”, ka propozuar ajo, shkruan më tutje “Zëri”.

Përfaqësues të tjerë të institucioneve kanë propozuar ndryshim të ligjit bazik.

Novitet Nezaj, përfaqësues nga Ministria e Integrimit Evropian (MIE), ka propozuar që vlerësimi i emetimeve të gazrave nga mjetet motorike të jetë i detyrueshëm. Duke vënë kështu theksin tek aspekti mjedisor në ruajtjen e ambientit.

“Propozojmë në parim që vlerësimi i emetimit të gazrave nga mjetet motorike të bëhet e detyrueshme që njësitë e kontrollimit teknik komunale të pajisen me këto instrumente. Propozime të tjera nuk kemi. Një mjet që hyn në shtetin tonë duhet të jetë e paraparë më legjislacionin për mbrojtjen e ambientit”, është shprehur Nezaj…